Herën e fundit që Natali* u rrah dhe u nxorr nga shtëpia së bashku me të birin 6 vjeç ishte një ditë e ftohtë në fund të dhjetorit. Gruaja nga Tirana u end njëfarë kohe në rrugë dhe pastaj u drejtua për ndihmë në një dyqan mobiljesh në lagjen e saj në periferi të Tiranës.
Shumica e fqinjëve e njohin atë edhe situatën ku ndodhet. Më herët, ata kanë njoftuar vetë policinë, kur e kanë parë 46-vjeçaren të dalë në ballkon duke ulëritur e frikësuar dhe e dhunuar nga bashkëshorti. Pasi u lidh me një organizatë ndihme për gratë e dhunuara, Natali e denoncoi për të disatën herë të shoqin, edhe pse jo fort e bindur se këtë herë do të funksiononte.
Të nesërmen, emri i dhunuesit doli në komunikatën e policisë, i arrestuar për plagët emocionale dhe fizike që i kishte shkaktuar së shoqes, por qëndroi vetëm pak ditë në qeli.
Pas një vendimi të Gjykatës së Apelit të Tiranës, ai u la me masë “arrest shtëpie” – i mbyllur në të njëjtën banesë ku Natali dhe djali i saj jetojnë me frikën se ai do t’i dhunojë sërish.
Ajo tregon se është larguar fshehurazi nga shtëpia për të kërkuar ndihmë në Njësinë Administrative të qeverisjes vendore, pasi nuk kishte para për ta paguar vetë një avokat.
“Kërkoj një avokat që të më ndihmojë me divorcin,” tha ajo, ndërsa shtoi se ishte e tronditur që bashkëshorti u kthye në shtëpi aq shpejt, e bindur se diçka nuk ka shkuar mirë në sistem. Gruaja shtoi se i shoqi dhe familja e tij i bënin presion që të dilte nga shtëpia dhe të kërkonte banesë me qira.
Rrëfimi i saj përmbledh çfarë nuk funksionon në sistemin e ngritur në vend për mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje. E pasigurtë se çfarë do të ndodhë me të dhe të birin nëse largohen nga shtëpia në të cilën dhunohen, Natali është detyruar t’i tërheqë denoncimet. Ajo shton se është e bindur që të kërkojë ndarjen, edhe pse frikësohet se nuk do të marrë asgjë nga pasuria e përbashkët dhe do mbetet në rrugë.
BIRN analizoi mbi 200 vendime të gjykatave të ndryshme të vendit për çështje penale dhe civile që kanë të bëjnë me dhunën në familje, kryesisht bazuar në nenin 130/a të Kodit Penal, ligjin Nr. 9669 për “Masat ndaj dhunës në familje” – mbi të cilin merren urdhërat e mbrojtjes si dhe nenin 321 të Kodit Penal për “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, duke arritur në përfundimin se shumica e viktimave të dhunës vërtiten në të njëjtin qerthull paqartësish e pasigurish.
Shumica dërrmuese e kërkesave për urdhëra mbrojtjeje që paraqiten në gjykatë pushohen ose rrëzohen, pasi viktimat tërhiqen ose nuk paraqiten në seancë pas kallëzimit fillestar në polici.
E ngjashme është situata edhe në çështjet penale që ndiqen nga Prokuroria, bazuar në nenin 130/a të Kodit Penal. Sipas raporteve vjetore të Prokurisë së Përgjithshme, procedimet penale për këtë nen shënuan një një rritje me 75 për qind që prej miratimit të tij në vitin 2012 e deri në vitin 2016.
Pas vitit 2016, çështjet penale të ndërtuara mbi shkeljen e nenit 130/a ranë me gati 16 për qind në hark vjetor dhe janë tashmë më pak se sa ishin në vitin 2014.
Ndërkohë, situata e dhunës në familje u përkeqësua në të njëjtën kohë me 9 për qind raste më shumë çdo vit – sipas një relacioni të deputeteve Eglantina Gjermeni dhe Klotilda Bushka – të cilat për këtë arsye propozuan ashpërsim të dënimeve në fillim të vitit 2020.
Të trembura dhe pa përkrahje
Ermira* mbërriti e gjakosur në spitalin e qytezës së Laçit në 14 nëntor 2019. Vendimi i gjykatës së Kurbinit tregon se ajo kishte plagë të shkaktuara nga një thikë në krahë e duar dhe të çara sqepari në kokë.
Plagët, siç i tha ajo policisë, ia kishte shkaktuar bashkëshorti kur ishte i dehur. Gjithçka kishte ndodhur në pak minuta. Gruaja 45-vjeçare e martuar prej më shumë se 20 vjetësh dhe nënë e tre fëmijëve, ka parë të shoqin të hyjë në shtëpi në orën pesë pasdite. Pa e përshëndetur, ai i ka kërkuar të shkonin në dhomën e çiftit se “kishte një muhabet”. Por në vend të fjalëve ka përdorur një thikë. E ka prerë në krah dhe në duar.
Më pas ai e ka ndjekur me një sqepar në dorë. E ka qëlluar sërish në kokë dhe në trup. Vetëm ndërhyrja e nënës së tij të moshuar e ka ndaluar dhunën. Ermira përfundoi në spital, ndërsa mjekët që e kuruan raportuan dhunën në polici.
Katër muaj pas sulmit që desh i kushtoi jetën, në gjykatë Ermira i lut gjyqtarit që të falë bashkëshortin e saj.
“Gjykata vlerëson edhe qëndrimin e bashkëshortes së të pandehurit, e cila ka kërkuar dënimin sa më të butë për bashkëshortin e saj, ose mosdënimin e tij,” shkruhet në vendimin e Gjykatës së Kurbinit.
Kodi Penal e përjashton mundësinë që viktimat e dhunës në familje të tërhiqet nga denoncimi. Po ashtu, gjykata nuk mund të konsiderojë si masë lehtësuese dëshminë e viktimës.
Megjithatë, gjyqtarët që folën për këtë shkrim thanë se janë të detyruar t’i përfshijnë këto deklarime, pasi në shumicën e rasteve, të vetmet argumente në gjykatë janë dëshmitë e palëve.
Një gjyqtare, e cila foli në kushtet e anonimatit, tha se këto raste tregonin se përtej dyerve të gjykatës, viktima nuk kishte ndihmë.
“Që në atë moment është e qartë që ato nuk kanë pasur ndihmë psikologu apo asnjë ndihmë tjetër që të kuptojnë situatën në të cilën ndodhen, edhe pse kjo është urdhëruar nga gjykata,” tha gjyqtarja.
Eglantina Gjermeni, një nga deputetet që propozoi ndryshimet e fundit ligjore në Kodin Penal dhe ligjin e posaçëm kundër dhunës në familje, thotë se fakti që viktimat tërhiqen është shqetësues.
“Viktimat e dhunës janë të frikësuara, të kërcënuara, nuk ndihen të sigurta apo të mbrojtura dhe mund të tërhiqen nga denoncimi apo kërkojnë faljen e tij,” tha ajo, ndërsa shtoi se një sërë rrethanash, përfshirë presionin shoqëror, mentalitetin dhe pasigurinë për të ardhmen çojnë në këto vendime.
“Gratë që janë viktima të dhunës (dhe denoncojnë), janë heroina të cilat thyejnë tabu, thyejnë heshtjen, guxojnë të dalin nga cikli i dhunës, ia dalin mbanë me shumë vështirësi, ndaj edhe i konsiderojmë të mbijetuara,” shtoi Gjermeni.
Ngjashëm edhe avokatja Lirie Dina nga Qendra për Nisma Ligjore Qytetare pranon se tërheqja, qoftë edhe formale e viktimës prej denoncimit apo kërkesat e saj për të falur dhunuesin, kanë të bëjnë me gjendjen e së dhunuarës.
“Bazuar në praktikën tonë, ne mendojmë se lidhet me pozitën vulnerabël të viktimës, varësinë e saj ekonomike ndaj dhunuesit, mentaliteti për të mbajtur familjen e bashkuar,” tha Dina.
Aktivistet për barazi gjinore theksojnë se ka hallka në sistem që mungojnë apo që janë ende larg mirëfunksionimit.
Irena Shtraza, menaxhere programi pranë Rrjetit të Fuqizimit të Gruas në Shqipëri (AËEN), thotë se gratë e dhunuara dekurajohen nga një mori sfidash dhe mbështetja e vogël që gjejnë, kur vendosin të denoncojnë dhunën.
“Reagimi institucional shpesh është i pamjaftueshëm, pavarësisht dëshirës dhe vullnetit të personave që punojnë me menaxhimin e rasteve të dhunës,” tha Shtaza, ndërsa theksoi se në vend mungojnë strehëzat dhe se ndihma ekonomike për viktimat është “jashtëzakonisht e vogël”.
Mungesa e përkrahjes për viktimat e dhunës del qartë në numrin e madh të tërheqjeve pa arsye prej kërkesave për urdhëra mbrojtje.
Në dhjetëra vendime të analizuara nga BIRN, gjykata pasi ka lëshuar një urdhër të menjëhershëm mbrojtjeje, vendos pas disa ditësh pushimin e çështjes për shkak se viktima nuk paraqitet në vendimin e konfirmimit.
Të dhënat nga Gjykata e Tiranës, që ka edhe numrin më të madh të rasteve të dhunës sipas raporteve vjetore të Prokurorisë së Përgjithshme, tregojnë se numri i urdhërave të mbrojtjes që pranohen në gjykatë ra nga 45 për qind në vitin 2019 në 39.5 për qind në vitin që shkoi. Konkretisht nga 144 çështje të përfunduara, vetëm 57 urdhëra u miratuan, 52 raste të tjera u pushuan dhe në 35 raste, çështja u rrëzua.
Në gjykatat e tjera, mënyra e paraqitjes së rasteve është e ndryshme, por tendenca është e njëjtë.
Sipas të dhënave të publikuara në portalin e gjyqësorit gjykata.gov.al, në Shkodër në vitin 2020 u konfirmuan gati 50 për qind të urdhërave për mbrojtje. Në Elbasan numri është 40 për qind, ndërsa në Durrës dhe në Korçë, numri i urdhërave të mbrojtjes që u konfirmuan në dy vitet e fundit zbret në 20 për qind
Të dhënat nga gjykatat janë në kontrast me statistikat e ofruara nga Ministria e Drejtësisë në “Vjetarin Statistikor” për vitin 2019, ku vlerësohet se rreth 83 për qind e urdhërave të mbrojtjes të kërkuara në Tiranë në atë vit u pranuan nga gjykata.
Përplasja e statistikave dhe format e ndryshme të raportimit të tyre e bëjnë të mjegullt situatën. As vendimet e gjykatave të para nga BIRN – në të cilat vendoset pushimi i çështjeve, nuk japin më shumë qartësi. Në to nuk përmenden arsyet pse viktima tërhiqet dhe as nëse rreziku për viktimën është zhdukur apo mbetet i njëjtë pas tërheqjes.
Në pak raste, gjyqtarët theksojnë në vendime se ata vetë janë në errësirë sa i përket situatës. Në disa prej vendimeve të saj për urdhër të menjëhershëm mbrojtje dhe vendimet pasuese për vërtetim të këtij urdhëri, gjyqtarja e Durrësit, Flora Hasimi e vë në dukje problemin para të cilit gjendet.
Në një vendim të tetorit 2020 për lëshimin e urdhërit të menjëhershëm të mbrojtjes, Hasimi shkruan në vendim se të vetmit dëshmitarë për ngjarjen ishin palët në konflikt, por arsyeton në favor të urdhërit. Njëzet ditë më vonë në seancë për verifikim të këtij urdhëri, në mungesë të paditëses dhe të paditurit, Hasimi vendos pushimin e çështjes, por lë të kuptohet se vendimmarrja ishte vetëm proceduriale, për shkak të mospranisë së denoncueses në seancë.
Gjyqtarja thotë në vendim se edhe pse të njoftuar për urdhërin e mbrojtjes, asnjë nga institucionet përgjegjëse, përfshi policinë e Durrësit dhe Zyrën Vendore të Shëbimeve Sociale dhe Bashkinë Durrës nuk kishin reaguar.
“Nuk paraqitën në gjykim asnjë informacion lidhur me këtë çështje,” thekson gjyqtarja.
Vlerësimi i rrezikut në këtë pikë i mbetet në dorë gjyqtares, e cila praktikisht nuk di asgjë se çfarë ka ndodhur dhe procedurialisht me mungesën e paditëses, është e detyruar të pushojë urdhërin e mbrojtjes.
Edlira Petri, gjyqtare në Gjykatën e Apelit në Tiranë, pranon se gjyqtarët shpesh nuk kishin informacion se çfarë ndodhte pas vendimit edhe pse kishte institucione përgjegjëse që duhej të merreshin me rastet.
“Aktualisht, sipas shumicës së rasteve që referohen në gjykatë- si civile ashtu edhe penale, përjashtuar Policinë e Shtetit, nuk rezulton që viktimat e dhunës të asistohen nga institucione të tjera shtetërore,” tha Petri.
Sipas saj këto mangësi sjellin përsëritje të dhunës dhe bëjnë joefektive vendimet gjyqësore.
“Por rezultatet konkrete mungojnë, për sa kohë që në këto gjykime nuk ka gjurmë të veprimtarive të qendrave, OJF-ve, strukturave të tjera ndihmëse, apo ekzistencën e programeve specifike për grupe të ndryshme të riskut,” shtoi Petri.
Për Drejtoren e Linjës së Këshillimit për Gra dhe Vajza, Iris Luarasi, gjyqësori është një nga hallakat më problematike. Ajo thotë se nga rastet që ka vëzhguar qendra që ajo drejton, shpeshherë gjykata nuk i informon viktimat për të drejtat që kanë.
“Një pjesë e viktimave nuk informohen për implikimet shtesë që ka marrja e një urdhëri mbrojtje, që do të thotë që viktima nuk informohet se pajisja me një urdhër mbrojtje i ofron asaj automatikisht ndihmën ekonomike,” tha Luarasi.
Ajo shtoi gjithashtu se shpesh gjykata dështon të informojë njësinë vendore dhe se viktima mëson me vonesë që i takon ndihmë ekonomike dhe e humbet pjesë të saj për shkak të vonesave.
Pikëpyetjet mbi ashpërsimin e ligjeve
Ndryshimet e fundit në ligjin Nr. 9669 e bëjnë të detyrueshme për gjykatën që të ndajë dhunuesin nga viktima, dhe në rast se është e nevojshme, edhe ta shpronësojë atë përkohësisht. Vendosja në një banesë e dhunuesit dhe viktimës është parë si shtysë që e ka çuar dhunën brenda familjes në vrasje.
Por ligji jo gjithmonë zbatohet nga agjencitë ligjzbatuese dhe institucionet e drejtësisë.
Deputetja Vasilika Hysi, kryetare e Komisionit Parlamentar të Çështjeve Ligjore, e sheh këtë moszbatim të ligjit nga policia, prokuroria dhe kryesisht gjykatat, si një nga problemet kryesore.
Duke iu referuar specifikisht vendimeve gjyqësore që i detyrojnë viktimat të ndanin të njëjtën shtëpi me dhunuesit, Hysi thotë se ligjvënësit i është dashur të ndërhyjë për të shtuar detaje dhe lënë edhe më pak hapësirë interpretimi.
“Detyrimi i institucioneve është për viktimën dhe jo ku do të shkojë dhunuesi,” tha Hysi, duke iu referuar vendimeve të Komisionit të Venecias dhe Konventës së Stambollit e raportit të Grevios, këshillat e të cilëve Shqipëria është zotuar të ndjekë.
Mbi të njëjtin parim të ashpërsimit dhe qartësimit të dënimeve, në vitin 2020 u ndërhy për herë të tretë edhe në pjesën e Kodit Penal që parashikon dhunën në familje. Ndryshimet në Kodin Penal rritën dënimet për dhunuesit deri në 3 vjet burgim nga 2 që ishte kufiri, ndërsa për kanosjet dhe plagosjet, kufiri maksimal u rrit në 4 vjet burgim.
Por ashpërsimi i dënimeve penale – diçka e provuar edhe më herët, duket më shumë si një reagim emocional pas rasteve të rënda të dhunës të shoqëruara me viktima dhe nuk është e qartë nëse ndikon në ndonjë formë në zbutjen e dhunës në familje.
Eglantina Gjermeni, një nga deputetet që ka propozuar ndryshimet e pranon se ato janë të lidhura me rastet e rënda të dhunës dhe vrasjet.
“Këto ndryshime kanë ndodhur edhe për faktin e rritjes së rasteve të dhunës në familje, e dhunës ndaj grave e vajzave, por edhe rritjes së rasteve të vrasjeve të grave dhe vajzave nga dhunesit – kryesisht nga (ish) bashkëshorti apo partneri,” tha Gjermeni, që kishte propozuar dënime edhe më të ashpra se sa u miratuan.
Edhe deputetja Vasilika Hysi e justifikoi ashpërsimin e masave të ndëshkimit me situatën në vend. Sipas saj, dënimet penale më të ashpra vinin për shkak të situatës së rënduar.
“A është politika penale, ashpërsimi i dënimeve, politika më e mirë?” pyet Hysi, ndërsa shton se po të lexosh Konventën e Stambollit, ajo kërkon dënime të ashpra.
“4 vjet burg në një vend të Bashkimit Europian është dënim i ashpër, në Shqipëri nuk është dënim i ashpër,” theksoi ajo.
Sipas Hysit, në shumicën e bashkive në vend ishin ngritur mekanizmat që duhej të ndihmonin viktimën dhe se ky proces do krijonte më shumë siguri. Funksionimi i këtyre mekanizmave, në disa bashki ende në proces ngritjeje apo i ngrirë për mungesë buxhetesh, mbetet për t’u testuar.
Avokatja Lirie Dina nga Qendra për Nisma Ligjore Qytetare theksoi se nuk ka studime për të kuptuar se si ndikon ashpërsimi i legjislacionit penal te dhuna në familje.
“Ne nuk kemi informacion që të ketë studime të mirëfillta mbi efektet që ka sjellë ashpërsimi i dënimeve në dhunën në familje,” shpjegoi ajo.
Dina megjithatë shpreson që ndryshimet ligjore civile mbi urdhërat e mbrojtjes, përfshi largimin nga banesa të dhunuesit, do të ofronin më shumë siguri për viktimat. Por ndërsa ligjet janë ashpërsuar, qëndrimi i gjykatave ndaj dhunuesve nuk duket se ka ndryshuar.
Sipas statistikave vjetore të Prokurorisë së Përgjithshme, ndonëse rreth 80 për qind e të akuzuarve për dhunë në familje dënohen, masat e dënimit janë më të butat e parashikuara në ligj.
Vendimet që BIRN analizoi mbyllen kryesisht me procedura të përshpejtuara që mundësojnë menjëherë uljen e një të tretës së dënimit. Për 90% të çështjeve në Gjykatën e Tiranës, vendimet e fajësisë nuk shkojnë më shumë se 6 muaj burg.
Gati gjysma e këtyre të dënuarve marrin dënime deri në dy muaj burg. Shumica e dënimeve të kësaj natyre pezullohen me kusht nga gjykata. Në vitin 2020, vetëm 8 vendime në një total prej 287 vendimesh fajësie – për vepra që lidhen me nenin 130/a, ishin dënime me burg mbi 1 vit.
Gjyqtarët thonë se kjo vjen ngaqë çështjet janë komplekse dhe është e vështirë për të aplikuar dënime më të rënda. Në disa raste, e vetmja provë është denoncimi i viktimës, shpesh viktima ndryshon qëndrim apo mungojnë ekspertizat mjeko-ligjore dhe prova të tjera të dhunës.
Një gjyqtare që foli në kushte anonimiteti tha ka pasur raste kur është përballur me pikëpyetjen nëse masa e ndëshkimit për dhunuesin do e ndihmonte viktimën apo do e vendoste atë më shumë në rrezik, pasi do i duhej të jetonte në të njëjtën shtëpi me prindërit e bashkëshortit dhunues.
Gjyqtarja thotë se për shkak të këtyre situatave, kryesisht në zona rurale edhe zbatimi i legjislacionit që shpronëson dhunuesin ishte më i vështirë. Ajo kujton raste në gjykatë kur viktima dhe dhunuesi jetojnë në shtëpi që nuk janë në pronësi të tyre, por të prindërve të dhunuesit.
“Si do të realizohej në këtë rast shpronësimi?” pyeti gjyqtarja.
Eglantina Nikollaj, psikologe pranë Gjykatës së Tiranës i konfirmon këto dilema. Ajo thotë se ka qenë dëshmitare e rasteve kur gra të dhunuara, pasi merrnin urdhërin e mbrojtjes, duhej të ktheheshin në fshat dhe të jetonin në të njëjtën banesë me prindërit e bashkëshortit.
“Çështja është sa e mbron një copë letër viktimën e dhunës?” pyet ajo, ndërsa shton se mekanizmi i mbrojtjes – përfshi policinë dhe institucionet e tjera, nuk i ndjek rastet pas vendimeve të gjykatës.
*Emri është ndryshuar për të ruajtur privatësinë e viktimës së dhunës në familje.
Ky shkrim u realizua nga Vladimir Karaj, nën kujdesin e programit të USAID-it Drejtësi për të Gjithë. Përmbajtja e këtij shkrimi dhe pikëpamjet e shprehura këtu, janë përgjegjësi e vetme e autorit të shkrimit dhe nuk reflektojnë apo nënkuptojnë qendrimet e USAID-it, USAID/Albania apo Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
COMMENTS