Në emisionin e mëngjesit të Euronews, av. Gentian Sejrani dha detajet e historisë së Besjan Rokos, djalit të mitur që në videon e parë të publikuar në portalin ‘joq’, u pa duke shkatërruar triçiklin e tij, si një akt të fundit për të mbrojtur mjetin nga sekuestroja e policisë. Nëse ata ia merrnin, ishte e sigurt për djalin që nuk do e shihte kurrë më. Për ta bërë atë të papërdorshëm për të tjerë, e shkatërron në sy të policisë.
Në videon e dytë të publikuar në Infomim.al, që mund ta shihni këtu, djali i mitur tregon për situatën e tij aktuale të jetesës. Ai banon me të vëllain e tij 16 vjeçar, Rafaelin, në shtëpitë sociale të ish Uzinës Autotraktori, por jo me prindërit. Ata ishin sistemuar provizorisht me vjehrrin e Rafaelit, për të mos jetuar me prindërit që janë në kushte rruge. Fëmijët më të mitur të familjes janë në qendër rezidenciale, pasi e kishin të pamundur të jetonin duke lypur në rrugë me prindërit. Djali tregon dhe për vendbanimin tjetër të përkohshëm pranë rrethrrotullimit të Saukut, me kushte të mjeruara, pa ujë e drita, pa asnjë kusht normal jetese. Videoja krijoi një përgjigje të fortë emocionale dhe ndikoi menjëherë që në takimet me Bashkinë, të kishte një vëmendje të duhur për Besjanin dhe kushtet e tij.
Të drejtat që i janë shkelur të miturit, tha avokati, janë e drejta për strehim, e drejta për arsimim, dhe kjo vjen direkt nga mosinteresimi i institucioneve për prindërit e tij. Çështja e tij po ndiqet në vazhdim nga avokati dhe po punohet që familja në fillim të strehohet dhe t’i mundësohet sa më parë rikthimi në shkollë i djalit, në mënyrë që jeta e tij të ndryshojë.
Emisionin e plotë mund ta ndiqni këtu.
COMMENTS