Dita kundër dhunës ndaj grave/avokati: ‘Ka pengesa në zbatimin e plotë të ligjit’

Dita kundër dhunës ndaj grave/avokati: ‘Ka pengesa në zbatimin e plotë të ligjit’

Rreh gruan pa mëshirë! Kapet në flagrancë 30 vjeçari në Tiranë
Përfaqësues të ambasadës keniane takim në komisariatin nr.1/rasti i 22 vjeçares që u dhunua barbarisht
Fshikullohet 40 herë pasi foli me një burrë në telefon

Dhuna me bazë gjinore në shoqërinë shqiptare trondit opinionin publik kohë pas kohe, ku gratë edhe pasi marrin vendime pozitive nga gjykata dhe janë të pajisura me urdhra mbrojtjeje, dhunohen, kanosen dhe vriten. Në Ditën Ndërkombëtare kundër Dhunës ndaj Grave, në një intervistë për MCN.tv, avokati Gentian Sejrani nga organizata Drejtësi Sociale, diskutoi mbi pengesat që hasin gratë që marrin urdhër mbrojtjeje nga gjykata. Urdhri i mbrojtjes është i vetmi mjet juridik që një grua mund të përdorë për të mos u dhunuar sërish nga burri a partneri i saj. Pavarësisht se ka një trefishim të denoncimeve vetëm në qarkun e Beratit, të cilin avokati e mori si shembull që tregon se ka një ndërgjegjësim të grave, policisë dhe shoqërisë ndaj dhunës, ajo që ndodh pasi ky urdhër merret është një braktisje totale e këtyre grave.

Skenarët e mundshëm kur një grua merr urdhër mbrojtjeje janë këto: nëse është e punësuar, ajo përfiton një pagesë prej 9900 lekësh të reja nga urdhri i mbrojtjes, dhe me këto të ardhura, duhet të gjejë privatisht një banesë me qira. Nëse nuk është e punësuar dhe trajtohet me ndihmë ekonomike, asaj i ndërpritet ndihma ekonomike sepse ligjërisht lejohet që një person të përfitojë vetëm nga një skemë. Kjo shumë mujore është qartësisht e pamjaftueshme për të mbijetuar. Rasti i një zonje të ftuar në emision, tregonte pikërisht për problemet ekonomike që e rëndonin pas largimit nga banesa ku bashkëjetonte me dhunuesin e saj. Trauma i kishte shkaktuar probleme shëndetësore dhe ajo ishte e paaftë të punonte, ndërsa faturat e qirasë dhe shpenzimet për rritjen e dy vajzave, e bënin të pamundur që ajo të kishte një jetë normale.

Urdhri i mbrojtjes ka pengesa praktike për zbatim. Është e pamundur të caktohet një efektiv policie për çdo grua. Për gratë që u caktohet një urdhër mbrojtjeje por nuk kanë ku të banojnë tjetër, caktohen distanca absurde nga gjykata, që ndajnë dhomat e shtëpisë, diçka e parealizueshme në praktikë.
‘Nuk ka një projekt punësimi pas largimit të tyre nga dhunuesi, nuk ka mbështetje psikologjike për fëmijët e traumatizuar nga dhuna në familje,’ shtoi avokati, si shqetësime të tjera të cilat lindin pas denoncimit. ‘Numri i strehëzave dhe organizatave të grave që operojnë në Shqipëri për mbrojtjen dhe strehimin e tyre janë shumë pak krahasimisht me numrin e atyre që kanë nevojë. Edhe buxheti për strehim social i vitit 2023 pësoi ulje krahasimisht me vitin 2022. Do duhej të ekzisonte një procedurë e përshpejtuar për këto gra që marrin urdhër mbrojtjeje që ato të mund të strehohen me urgjencë, larg dhunuesit të tyre.’ shtoi avokati.

Intervistën e plotë mund ta ndiqni këtu.

COMMENTS

WORDPRESS: 0