10 Tetori është Dita Botërore e Shëndetit Mendor. Urdhri i Psikologëve organizoi sot një parakalim që nisi në orën 11.00 në Sheshin “Skënderbej” dhe u finalizua me lëshimin e rreth 300 tullumbaceve të gjelbër me helium në sheshin “Nënë Tereza”. Një numër i madh psikologësh dhe studentësh morën pjesë, me pankarta që nxisnin diagnostikimin e hershëm, përdorimin e duhur të barnave psikotrope dhe heqjen e tabuve për problemet e shëndetit mendor.
Në vendin tonë, ende ka një nivel të ulët të edukimit dhe praktikës së takimit me psikologë, për shkaqe si ekonomike ashtu dhe frikës nga stigmatizimi. Prania e psikologëve në shkolla është po ashtu jo mjaftueshëm, ku i njëjti psikolog mbulon disa shkolla dhe nuk ka mundësi fizike të komunikojë me një numër aq të lartë nxënësish. Shqipëria ka 520,759 nxënës nga kopshti deri në shkollën e mesme por vetëm 413 psikologë dhe punonjës socialë duke llogaritur edhe ata të institucioneve arsimore private. Raporti i thjeshtë tregon se një psikolog mbulon afro 1260 nxënës.
Në një intervistë për TCH në prill të 2022, psikologia Arjana Muça shpreh shqetësimin se të sëmurët mendorë në gjendje të rëndë shoqërohen në komisariate nga policia e më pas në drejtim të Spitalit Psikiatrik në Tiranë. Kapaciteti aktual i këtij spitali nuk lejon shtrimin e tyre për shumë kohë, duke i rikthyer ata në mjediset familjare. Spitali Psikiatrik aktualisht ka 80 shtretër ku shtrohen rastet më urgjente dhe ekstreme, në rastet e tyre që rrezikojnë veten dhe të tjerët.
COMMENTS