Diplomacia kulturore, si një zgjidhje për imazhin e rrënuar të Shqipërisë

Diplomacia kulturore, si një zgjidhje për imazhin e rrënuar të Shqipërisë

Elbasan/ Nëna trondit me rrëfimin e saj: “Më iku djali e askush nuk mban përgjegjësi. Mi kanë marrë zemrën…”
Projektligji për pakicat kombëtare.
20-vjetori, ja si e uron veten Armando Broja

Nga Dr.Arben Ramkaj

Turizmi është identifikuar vitet e fundit nga qeveritë si sektori më prioritar i ekonomisë shqiptare. Sipas të dhënave, viti 2019, shënoi edhe rekordin me mbi 6 milionë vizitorëve të huaj. Tërmeti i atij fund viti, dhe më pas pandemia e Covid-19, e dëmtuan ndjeshëm këtë ecuri.
Ky vit që duket shumë i lehtësuar nga pikëpamja e barrës pandemike, shihet plot shpresë si një mundësi për rifitimin e terrenit të humbur, dhe për ecjen me më shpejtësi përpara. Por ndërsa tërmeti dhe pandemitë janë ngjarje të rënda jashtë kontrollit tonë, Shqipëria vazhdon të ketë përballë një sfidë të vështirë në këtë sektor, ku shumëçka varet nga vetë ne shqiptarët.
Ajo ka të bëjë me problemin e imazhit të vendit tonë nëpër botë, i cili pavarësisht se ka ndryshuar disi le të themi në krahasim me 2 dekada më parë, mbetet sërish një mekanizëm frenues për shumë të huaj.
Mbi të gjitha, këtu ndikon edhe niveli ende i ulët i sigurisë publike, dhe përplasjet e forta midis eksponentëve të krimit të organizuar, që shkaktojnë çdo vit dhjetëra të vrarë, shpeshherë përmes atentateve siç ishte më i fundit me eksploziv në periferi të Tiranës, të cilat ngjallin kuptueshëm shumë panik tek qytetarët shqiptarët, dhe padyshim edhe për shtetasit e huaj që vijnë në vendin tonë duke menduar se do
të kalojnë disa ditë të bukura.
Ngjarje të tilla shkaktojnë humbjen e shpresës tek shumë shqiptarë, të cilët në bisedat që zhvillojnë me njëri-tjetrin në shtëpi apo kafene diskutojnë migrimin jashtë vendit si një zgjidhje ndaj pasigurisë së madhe që kanë për jetën dhe pronën e tyre.
Dhe ky është si një kurth për shoqërinë shqiptare, pasi i nxit të gjithë që të ndihen
keq për vendin e tyre, politikanët e tyre, për shoqërinë në tërësi.
Problematika e sigurisë dhe rendit publik është sigurisht shumë komplekse,
dhe kërkon angazhimin jo vetëm të gjithë agjencive ligj-zbatuese por edhe të gjithë shoqërisë, për t’u distancuar nga e keqja dhe për të përfaqësuar vlerat evropiane
të qytetarisë, humanizmit, demokracisë dhe shtetit të së drejtës.
Por unë mendoj se në këtë aspekt është lënë dhe vazhdon të lihet pas dore një mekanizëm shumë i rëndësishëm: diplomacia kulturore, e cila si praktikë ka ekzistuar prej shekujsh. Eksploruesit, udhëtarët, tregtarët, mësuesit dhe artistët, mund të konsiderohen që të gjithë shembuj të gjallë të “ambasadorëve jo zyrtarë” apo “diplomatëve kulturorë” të hershëm.
Në fakt, çdo person që ndërvepron me kultura të ndryshme, (aktualisht ose dikur), lehtëson një formë të shkëmbimit kulturor, që mund të ndodhë në shumë fusha si arti, sporti, letërsia, muzika, shkenca, biznesi dhe ekonomia e më gjerë.
Përgjatë gjithë historisë, ndërveprimi midis popujve, shkëmbimet gjuhësore, fetare, ideore, artistike dhe i strukturave sociale, ka përmirësuar vazhdimisht marrëdhëniet ndërmjet grupeve të ndryshme, duke amortizuar dallimet dhe duke garantuar një frymë bashkëpunimi dhe harmonie afatgjatë.
Në një botë gjithnjë e më të globalizuar, e të ndërvarur, në të cilën përhapja e teknologjisë së komunikimit masiv siguron që të gjithë të kemi një qasje më të madhe se kurrë më parë me njëri-tjetrin, diplomacia kulturore ka një rol jetik në nxitjen e paqes dhe stabilitetit në mbarë botën.
Diplomacia kulturore është një përforcuese direkte e asaj që politologu i njohur amerikan Joseph S.Nye e quan “fuqia e butë” e një shteti, si një alternativë e dukshme ndaj “fuqisë së ashpër” që ushtrohet dhe imponohet përmes presioneve, bllokadave apo forcës ushtarake
Gjykoj se diplomacia kulturore është shumë e rëndësishme për imazhin e vendit tonë, pasi për fat të keq jemi ende një vend që vuan nga një imazh të cilin pjesërisht nuk e meriton. Jo më kot, të gjithë ata që vijnë të vizitojnë Shqipërinë, kur rikthehen në vendet e tyre kanë përshtypje shumë më të mira nga sa kishin ende pa e vizituar vendin tonë.
Dhe kjo do të thotë se Shqipëria vazhdon të ketë ende shumë nevojë të përmirësojë edhe më tej imazhin e saj në rajon, Evropë dhe me gjerë. Si mund të ndërtohet ky imazh? Puna që na pret përpara është padyshim shumë e madhe, megjithatë piketat që duhen ndjekur janë më se të qarta dhe në vija të përgjithshme të njëjta me modelet e suksesshme që kanë ndjekur vendet e tjera në rajon dhe jo vetëm.
Së pari, duhet të promovojmë akoma më shumë vendet tona historike, një pjesë
e të cilave janë pjesë e trashëgimisë historike botërore të UNESCO-s. Shqiptarët janë një ndër popujt më të vjetër në Ballkan, dhe këtë e tregojnë qindra mijëra sitet arkeologjike që kemi. Dhe përveç turistëve që vijnë në Shqipëri të shijojnë bukurinë e bregdetit dhe gatimet tradicionale shqiptare, ka shumë turistë që sapo mbërrijnë në Tiranë, janë të interesuar të shohin nga afër trashëgiminë historike të kryeqytetit dhe qyteteve të tjera.
Së dyti, duhet të promovojë me tepër kulturën e bashkëjetesës dhe harmonisë që ekziston ndër shekujt në vendin tonë midis komuniteteve të ndryshme fetare. Le të mos harrojmë tubimin e famshëm në Paris anti-terrorizëm të organizuar vetëm pak ditë pas sulmit ekstremist ndaj redaksisë së revistës satirike franceze “Charlie Hebdo”, duartrokitjen e dhjetëra mijëra të pranishmëve, dhe bujën e madhe mediatike
që shkaktoi gjesti i parakalimit me duart e kapura në mënyrë vëllazërore midis klerikëve shqiptarë të besimeve kryesore fetare në Shqipëri.
Bashkëjetesa paqësore mund të na duket nganjëherë si një klishe dhe si një gjë
e mirëqenë mes shqiptarëve. Por në shumë vende të botës, është diçka që bën shumë përshtypje pozitive, në kushtet kur intoleranca, racizmi dhe ksenofobia po helmojnë aktualisht shoqëri në dukje të konsoliduara, dhe që dukej sikur i kishin zgjidhur probleme të tilla.
Së treti dhe në lidhje me të dytën, Shqipëria ka një histori të mrekullueshme dhe gati unike në mbrojtjen e mijëra hebrenjve nga Holokausti nazist para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ky kontribut është njohur dhe nderohet zyrtarisht nga shteti i Izraelit por edhe nga të gjitha komunitetet hebraike në mbarë botën.
Së katërti, diplomacia kulturore duhet të mbështetet sigurisht edhe tek promovimi i veshjeve tradicionale dhe i traditave të vjetra të popullit shqiptar, duke nxjerrë në pah më të mirën e tyre, dhe duke shpjeguar në kontekst anët e tyre me negative.
Përveç institucioneve shtetërore, që duhet të hartojnë strategjitë në nivel makro, aktorët kryesorë në terren duhet të jenë artistët, sportistët, bota akademike, shoqëria civile dhe sigurisht edhe diaspora shqiptare, e cila ndihet shpesh e lënë
pas dore, në rolin e saj kryesor si një furnizuese me dërgesat në para, që e zbusin sadopak varfërinë e shumicës së shqiptarëve.
Mendoj se duhet një ri-vlerësim dhe ri-angazhim i diasporës së madhe etnokulturore shqiptare, me synim mbajtjen gjallë të lidhjes së tyre me mëmëdheun, forcimin e klimës pozitive ndaj vendit tonë, ngritjen e urave të bashkëpunimit me vendet ku ata jetojnë, në promovimin e vlerave kulturore dhe arritjeve të vendit si edhe në përmirësimin e imazhit të Shqipërisë, sidomos ndaj stereotipeve të krijuara jashtë
për shqiptarin dhe Shqipërinë.
Në fund të fundit, imazhi i një vendi s’është gjë tjetër veçse rezultat i eksperiencave individuale dhe kolektive të përsëritura të qytetarëve të huaj për aspekte të veçanta të organizimit shoqëror, për kulturën dhe mënyrën e jetesës së tij.
Në këtë aspekt, kontrasti mes imazhit të Shqipërisë dhe imazhit të shumë prej vendeve të tjerë të rajonit tonë në këtë drejtim është i madh. Është detyra e qeverisë shqiptare, dhe e të gjithë ne të tjerëve që ta ndryshojë këtë situatë, e cila nuk është fatale, por mund të bëhet e tillë një ditë nëse vazhdohet me këtë neglizhencë.

COMMENTS

WORDPRESS: 0