Dilema e tregëtarëve – ’Formalizimi’, apo braktisja e Tregut të Shkozës

Dilema e tregëtarëve – ’Formalizimi’, apo braktisja e Tregut të Shkozës

Shemben dy pallate tek Rruga Ura, banorët: ‘Janë të banueshëm!’
Protestë para bashkisë Tiranë/ Banorët i drejtohen të revoltuar kryetarit të bashkisë
Dilema e tregëtarëve – ’Formalizimi’, apo braktisja e tregut të Shkozës

 

‘Tregu i Shkozës’ nisi të funksionojë, si i tillë, në maj të vitit 2019. Në atë periudhë, 103 anëtarë të komunitetit rom dhe egjiptian nisën punën aty si tregëtarë të mallrave dhe veshjeve të përdorura. Qëllimi final i këtij projekti ishte që, pas një periudhe kohe,  shitësit  të mund të dilnin nga informaliteti, duke u bërë kësisoj pjesë e skemës së sigurimeve shoqërore. Për të ardhur në mjediset e këtij tregu, që u ofronte strehë, ndarje të posaçme dhe sistemim dinjitoz, ata lanë rrugët dhe trotuaret ku kishin tregtuar, deri në atë moment. Në kushtet e rrugës, shitësit shpsh përballeshin me gjoba dhe konfiskime të mallit.

Po si nisi gjithçka?

Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës,  pas identifikimit të një banese të braktisur në zonën e Shkozës, në periferi të Tiranës, e transformuan atë në një hapësire publike. Qëllimi ishte vetëpunësimi i tregtarëve ambulantë. Ky do të ishte edhe tregu i parë publik i rrobave të përdorura që do tësynonte krijimin e më shumë mundësive ekonomike për  familjet rome dhe egjiptiane.

Sipas marrëveshjes me donatorët, në vitin e parë të aktivitetit të tyre, tregtarët do të përjashtoheshin  nga taksa e hapësirës publike.

Nga një vëzhgim i Informim.al, mbwshtetur nga projekti “Media for All” dy vite pas krijimit të këtij tregu, në mjediset e tij shesin tashmë rreth 20 tregtarë, nga 103 që ishin në fillim.

Silvana Jashari  nëna e 4 fëmijëve, tregtare në këtë treg që në hapje të tij, tregon se ajo e ka të pamundur të përballojë shpenzimet në familje me këtë punë.

 Zotëria i Bashkisë më ka sjellë letrat për të paguar tezgen, ja grisa sepse unë nuk kam me çfarë ta paguaj. Kushton 12 mijë lekë në muaj. Nuk është kushedi se çfarë, por për ne është shumë, sepse nuk ka punë. Kam tre muaj që nuk kam paguar tezgën. Plus duhet paguar edhe 3 mijë lekshi i taksave vjetore.”- shprehet për Informim.al Silvana Jashari.

 

Pagesat e ‘tezgave’ që ja paguajnë Bashkisë së Tiranës, taksa e pajisjes me Nr. Nipti dhe mungesa e klientëve, e  theksuar pas pandemisë së Covid-19, u’a  ka vështirësuar punën tregëtarëve, gjatë vitit 2020 dhe në vijm.

“Kur hap numër nipti siguracioni duhet paguar muaj për muaj. Unë me çfarë ta paguaj? Unë nuk kam qënë dakort por zotëria i Bashkisë thotë që nëse ti do që të marrësh tezgën, pa numër nipti unë nuk ta jap emrin. Kjo nuk është zgjidhje.
Ose të paktën mund të na e zbresë tregun poshtë tek Ali Demi që dhe ne të kemi një fluks, një lëvizje. Është më ndryshe nga zona e Ali Demit, më shumë njerëz mund të vijnë. Ndërsa këtu tek uzina kush të vjen?”-
artikulon Jashari për Informim.al.

Pavarësisht se ata dalin në treg, që në orët e para të ditës , sipas tyre, të ardhurat që nxjerrin janë gjithnjë e më të pakta. Ato nuk mjaftojnë as për nevojat familjare, e jo më për pagesat shtesë që u kërkohen.

“Kaq pak lekë sa fitojmë ne në ditë që të mbash vetë i shtatë brenda në shtëpi është shumë e vështirë. Vetëm unë jam në marrëdhënie pune.
A mbahet shtëpia me kaq pak lekë? Çfarë të bëj më parë, të nxjerr lekët e mallit, të nxjerr lekët e pagesave të tezgave apo taksat vjetore? Unë të gjithë fëmijët i kam pa punë, burri pa punë, nuset pa punë. Si do të shkojë ky halli jonë vetëm ai Zot bën mirë. –
vijon më tej Jashari.

Dita e znj. Shpresa nis duke hapur mallin në treg, me shpresën se klientët që zbresin shkallët e tregut janë me të shumtë në numër.


“Vijmë në tregun e Shkozës, qëndrojmë deri në orën 1-2 por nuk ka shitje fare dhe detyrohemi të marrim mallin dhe të dalim prapë në ndonjë vend tjetër. Mall kam por halli është që nuk ka klientë që të blejnë.”përfundon ajo.

Shpresa  se e ardhmja e tyre do të jetë më e mirë e ka shtyrë një pjesë të tregëtarëve të Shkozës të marrin kredi në banka për të paguar detyrimet për pajisjen me nipt. Kjo, sipas tyre është një barrë shtesë.

 “Kemi marë kredi dhe nëpër banka. Problemi qëndron në faktin se nuk është i përshtatshëm ky vend sepse nuk ka klientë .”- shprehet Fatmire Jashari.

Ndërsa një pjesë tjetër e tregëtarëve,  në pamundësinë për t’u pajisur më një numër Nipti, për shkak të taksave, rrezikon që të përfundojnë në rrugë.

“Kam dalë prapë me fëmijën e vogël për të punuar sepse po s’punova unë, fëmijët më ngelin pa ngrënë. Sot kam bërë vetëm 350 lekë ndërsa dje kam ikur me 150 lekë në shtëpi. Nuk kam pasur mundësi me paguar vendin. Ai burri i Bashkisë na tha që nuk ekzistoni asnjë këtu sepse nuk jeni të rregjistruar në Bashki. Tani a të merrem me bashkinë a të ushqej fëmijët?-tregoi një shitëse tjetër.

 

Izolimi dhe Covid-19 e bëri edhe më të vështirë jetesën për këta tregëtarë, pasi ata që nuk rezultonin të punësuar, nuk përfituan as nga bonuset, vetëm disa ndihma në ushqime të pamjaftueshme për to.

 “Kur ra korona na kanë sjellë oriz të skaduar me myk dhe e kemi hedhur.”-vijon më tej Fatmira Jashari..

Një vit pasi përfundoi marrveshja mes Fondacionit edhe Bashkisë  në lidhje me tregun e Shkozës, sipas tregëtarëve  ka munguar interesimi nga ana e organizatave dhe e institucioneve. Ata ndihen të braktisur dhe në udhëkryq.

Që në momentin që ka rënë pandemia ketu në tregun tonë nuk kanë ardhur asnjë person me u konfrontuar me tregëtarët se çfarë problem kemi ne . Kjo nuk është zgjidhje, ne nuk kemi te ardhura, nuk kemi me çfarë ti ushqejmë fëmijët. Asnjë lloj mbështetjeje as nga bashkia as nga shteti as nga aktivistët.
Njëherë në tre muaj duhet rinovuar vendi i punës dhe që në maj ka mbaruar kontrata.
thotë Silvana Jashari, shitëse në zonën e Shkozës.

Ervis Daka, Drejtues i organizatës “Qendra për Aksion Komunitar”, i cili ka zbatuar  projektin e Fondacionit Soros shprehet se tregu fillimisht funksiononte shumë mirë nga mbështetja që i’u është dhëmë. Duke qenë se tregëtarët që i përfshimë në treg vinin nga një punë informale, riciklimi ose edhe nga rruga ku ata lypnin, pritej që të ishte e vështirë për ata përshtatja me një vend pune dhe detyrime.

Tregu i Shkozës fillimisht funksiononte shumë mirë, Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë kishte marrëveshje me Bashkinë që për një vit tezga (vendi i punës) 12 mijë lek të vjetra të mos paguhet nga tregëtarët dhe  proçesi i formalizimit, i pajisjes me nr. Nipti të niste pas 6 muajsh. Duke qenë se tregu gëzonte statusin e  “tregut publik” dihej që ata nuk mund t’i shmangeshin edhe detyrimeve që kanë tregtarët.

Fillimisht si organizatë i kemi mbështetur edhe me mall (dengje) në mënyrë që ata pas 6-të muajsh, një viti të ishin në gjendje për të vazhduar vetë përpara.  Gjithashtu edhe pas pandemisë i kemi mbështetur. Në asnjë moment nuk i’u ka munguar mbështetja administrative  dhe logjistike nga ana e organizatës”- shprehte Z. Daka

Informim.al i dërgoi një kërkesë për Informacion Bashkisë Tiranë në lidhje me problematikat e pajisjes me Nr. Nipti të tregëtarëve të tregut të Shkozës, por nuk kemi marë përgjigje deri në momentin e publikimit të këtij artikulli.

 

Kërkesë për informacion drejtuar Bashkisë Tiranë

Kërkesë për informacion drejtuar Bashkisë Tiranë

COMMENTS

WORDPRESS: 0