Nga hetimet që po kryhen për dhunimin e gazetarit investigativ të Report Tv, Adriatik Doçi, Policia ka arritur të zbulojë se në këtë ngjarje është përfshirë edhe një efektiv policie pjesë e komisariatit nr.4. Polici Ermir Doda është shpallur në kërkim pasi ka ndihmuar autorin Redon Skutera që të largohet nga vendi i ngjarjes pasi sulmoi gazetarin Doçi pranë banesës së tij.
Ermir Doda, i proceduar edhe për ndërtim pa leje, ka asistuar Redon Skuterën, duke e larguar nga vendi i ngjarjes me motorr, por dyshohet se ka marrë pjesë edhe në vëzhgimin e gazetarit, i cili është ndjekur për disa ditë me radhë.
Efektivi i policisë është shpallur në kërkim për veprën penale ‘përkrahje të autorit të krimit’, ndërsa pritet të përjashtohet nga policia. Nga hetimet e deritanishme, rezulton se Redon Skutera, emri i parë i të cilit është Redon Pëllumbi, është një person me precedentë kriminalë dhe me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Ai është arrestuar një vit më parë për plagosje me me dashje kundrejt pagesës, por nuk dihet se si i ka shpëtuar drejtësisë. Skutera, i cili dyshohet se përdoret nga grupet kriminale në Tiranë, është arrestuar edhe për lëndë narkotike.
Sipas burimeve, 32-vjeçari nga Berati kërkohet në Holandë për trafik droge. Ndërsa, efektivi Ermir Doda dyshohet se shërben si rojë edhe pranë një grupi krimal në Tiranë. Hetuesit kanë bindjen e plotë se gazetari është goditur për shkak të detyrës. Redon Skutera ka pranuar autorësinë e sulmit, madje ka nisur të sajojë disa alibi për shkakun. Gazetati Doçi ka deklaruar se nuk i njeh dhe nuk i ka dëgjuar kurrë as edhe si emra Ermir Dodën dhe Redon Skuterën.
Vetëm një ditë më parë, Policia arriti të arrestojë autorin e sulmit ndaj gazetarit Doçi. 32-vjeçari Skutera, lindur në Berat u ndalua në rrugën “Sami Frashëri”. Ai u arrestua 6 ditë pas sulmit të gazetarit Doçi dhe ndaj tij rëndon vepra për akuzën penale “Goditje për shkak të detyrës”.
Për dhunën ndaj gazetarit Doçi ka pasur një sërë reagimesh nga kolegët, ndërsa vetëm dy ditë më parë deputeti socialist Erion Braçe i bëri thirrje Policisë së Shtetit të zbardhë ngjarjen. Gazetari investigativ i Report Tv dhe Shqiptarja.com, Adriatik Doçi është sulmuar mesditën e së dielës (13 nëntor) shumë pranë banesë së tij dhe fatmirësisht është në gjendje të mirë shëndetësore. Doçi ka takuar edhe ambasadoren e SHBA-së, Yuri Kim e cila i shprehu mbështetjen.
Shqiptarja.com
COMMENTS