Minoriteti egjiptian dhe ai rom janë më të diskriminuarit në Shqipëri referuar vendimeve të Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi. Vitet e fundit janë shtuar rastet ku anëtarë të këtyre minoriteteve përballen me abuzime dhe dhunë të punonjësve të policies bashkiake Tiranë.
Incidenti i fundit përfshinte një ngjarje ndaj Hekuran Shaqirit, pjestar i komunitetit rom i cili u dhunua nga dy policë bashkiakë mbrëmjen e 29 Majit, në zonën e Yzberishtit.
Në një intervistë për Informim.al i riu rom deklaron se u dhunua nga dy policë bashkiakë. Ai tregon se donin ta merrnin me dhunë për ta futur në makinën e Policisë Bashkiake.
“Isha duke mbledhur me një mjet bicikletë trerrotak, mbetje të riciklueshme bashkë më bashkëshorten. Ndërkohë që po kaloja, një patrullë e policisë bashkiake Tiranë erdhi dhe në mënyrë të menjëhershme më kapi nga dora duke më thënë hajde shpejt në makinë. Më kapën dhe tentuan të më fusnin me forcë në makinën e policisë bashkiake. Gjatë gjithë kohës nuk kam kundërshtuar sekuestrimin e mbetjeve dhe as të mjetit por vetëm kërkoja të më lëshonin, pasi isha me bashkëshorten e cila qante në ato momente. Për afro 10 minuta policia bashkiake ka insistuar të më fusë më forcë brenda në makinë deri kur i thashë më lini se nuk ndjehem mirë. Gjithashtu, gjatë kësaj kohe më kanë goditur tek pulpat e këmbës me qëllim që të futesha në makinë. Po ashtu qytetari zbuloi se ka rezistuar, pasi ishte së bashku me gruan e tij e cila ishte shtatzënë.”-deklaron ai.
Menjëherë pas ngjarjes, Hekuran Shaqiri i shoqëruar nga juristi Gentian Sejrani, depozitoi një kallëzim penal kundër Policisë Bashkiake Tiranë në komisariatin nr.6.
Megjithatë pas hetimit të fakteve dhe rrethanave lidhur me këtë ngjarje në vendimin e saj Prokuroria e Rrethit Gjyqësorë Tiranë përpos dhunës së ushtruar nga policia bashkiake kundrejt të riut rom, gjë e cila shihet qartazi në videon e siguruar nga i dhunuari ka theksuar se asnjë nga punonjësit e Policisë Bashkiake nuk ka ushtruar dhunë fizike ndaj këtij personi.
Gjithashtu, në këtë vendim është theksuar se punonjësit e policisë bashkiake kanë vepruar në ushtrim të detyrave funksionale, pasi është e ndaluar që të mblidhen sende të riciklueshme ne kontienerët e mbeturnave, sipas prokurorisë, kjo ka qenë arsyeja që punonjësit e policisë bashkiake i kanë kërkuar atij që të mos mbledhë mbetje të riciklueshme duke i kërkuar që të largohej, por kallëzuesi nuk ka pranuar dhe në këto kushte punonjësit e policisë e kanë larguar atë nga vendi ku ai po punonte për të mbledhur sende të riciklueshme.
Për këto arsye prokuroria ka vendosur: Mosfillimin e procedimit penal për kallëzimin nr 6569 të vitit 2020.
Në këto kushte Hekurani i ndihmuar nga juristi kanë ankimuar vendimin e mosfillimit të procedimit penal Nr.6569, datë 02.06.2020 të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë pasi sipas tij rezulton se:
Së pari, referuar paragrafit të parë të nenit 90 përcaktohet se: “Rrahja, si dhe çdo vepër tjetër dhune, përbën kundërvajtje penale dhe dënohen me gjobë”, sipas këtij paragrafi nuk është detyrim që tek kallëzuesi duhet me patjetër të provohen shenjat e ushtrimit të dhunës nga ana e policisë bashkiake. Por, referuar provës së depozituar nga ana kallëzuesit (video) si dhe dëshmitarëve në vendngjarje mund të themi se kemi ushtrim dhune nga ana e policisë bashkiake.
Së dyti, veprimet e policisë bashkiake nuk janë në zbatim të detyrave funksionale të përcaktuara në ligjin Nr.8224 datë 15.05.1997 “PËR POLICINË BASHKIAKE”, pasi në nenin 9, 10 përcaktohet se:
“Për rastet kur nevojitet zbatimi forcërisht i kompetencave, kryeinspektori i rrethit për policinë e bashkisë e të komunës njofton me shkrim 5 ditë përpara personin e interesuar“.
“Kur gjatë kryerjes së shërbimit konstatohen elemente të veprave penale, punonjësit e policisë së bashkisë dhe të komunës, në përputhje me dispozitat ekodit të procedurës penale marrin masa për shoqërimin e autorëve në komisariatin e policisë, ruajnë vendin e ngjarjes, fiksojnë dëshmitarët dhe ruajnë provat deri në ardhjen e policisë gjyqësore“.
Nga provat shohim se, kallëzuesi nuk ka qenë pranë një kontenieri të mbledhjeve të mbetjeve si dhe nuk ka kundërshtuar në asnjë moment veprimet e policisë në lidhje me bllokimin e mbetjeve, madje, ndryshe nga ajo që është thënë në arsyetimin e vendimit të prokurorisë, kallëzuesi ka kërkuar që punonjësit e policisë bashkiake ta lëshojnë pasi donin ta shoqëronin në makinë. Kjo e provuar nëpërmjet pamjeve filmike.
Por nga ana e prokurorisë shohim se, nuk është hetuar mjaftueshëm nëse jemi para veprës së shpërdorimit të detyrës nga ana punonjësve të policisë bashkiake.
Pra në këtë rast, kemi bindjen se jemi para një hetimi të paplotë dhe sipërfaqësor nga ana e Organit të Prokurorisë dhe ushtrim të dhunës nga ana e punonjësve të policisë bashkiake në tejkalim të kompetencave që i përcakton ligji.
Është e qartë se pandëshkueshmëria, mungesa e përgjegjësisë dhe qëndrimi i organit të akuzës ndaj shkelësve të ligjit krijojnë terren për abuzim të autoritetit, dhunë dhe tortura. Asnjë reformë nuk mund ta zgjidhë këtë problem derisa secili krim dhe shkelje e kryer nga policët bashkiakë hetohet dhe ndiqet penalisht në masën më të plotë të ligjit dhe autorët e dënimit në përpjesëtim me pozicionin e tyre të përgjegjësisë. Grupe në rrezik, siç janë komunitetet rome dhe egjiptiane duhet të marrin një mbrojtje të veçantë. Në mungesë të këtyre masave, abuzimi i autoritetit do të mbetet i pashmangshëm në Shqipëri dhe “të drejtat e njeriut do të ekzistojnë vetëm me fjalë.
COMMENTS