Dhoma e Përmbaruesve/ Akuzë publike për lejimin e mashtrimit publik

Dhoma e Përmbaruesve/ Akuzë publike për lejimin e mashtrimit publik

Ja “sëmundja e pestë” që po qarkullon në Shqipëri nga Tritan Kalo
Aty ku varfëria sfidon luftën për mbijetesë…!
Shkëputet ashensori, plagosen 2 gra në Astir

Prej muajsh organizata Drejtësi Sociale po asiston një numër të konsiderueshëm qytetarësh që po përballen me bllokimin e numrave të llogarisë. Shumica e tyre numrin e përdorin për të tërhequr pagën mujore, si e vetmja e ardhur për familjet e tyre. Bllokimi numrit kryhet nga ana e kompanive mikrofinanciare, të cilat kanë blerë kreditë e këqija tek kompanitë apo bankat. Pas blerjes së këtyre kredive, ata kryejnë mbledhjen e borxheve qytetarëve në mënyrë joligjore. Për këtë situatë ka reaguar nëpërmjet një deklarate publike në muajin shkurt edhe Dhoma Kombëtare e Përmbaruesve Privatë. Nëpërmjet kësaj deklarate ajo shprehet se:

-Me mijëra qytetarë u mashtruan dhe u dhunuan shumë rëndë këta muajt e fundit. Individë dhe familje të tëra shqiptare kanë kaluar deri në trauma psikologjike kur u është bllokuar çdo mjet jetese, paga mujore dhe çdo pasuri e mundshme prej mashtruesve publikë. Shumë individë janë dorëzuar tek këta mashtrues të pashpirt, sepse shteti nuk lëvizi!

Shumë familje janë detyruar të marrin kredi të reja për të shpëtuar lakun e shtrënguar për larjen e kredive/borxheve të vjetra.

Skema e mashtrimit funksionon ende perfekt: Një shoqëri mikrofinanciare blen nga bankat e nivelit II borxhin/kredinë e marrë në 2006, 2007, 2008 apo 2009 nga një shqiptar i thjeshtë dhe pasi e kërkon disafish me shantazh, e vendos atë mes dy zgjedhjeve të detyruara: O të paguajë disafishin e borxhit të vjetër, ose të marrë kredi të re dhe të kthehet në një borxhli modern të viteve 2019, 2020, 2021 apo 2022!

Një skemë mashtrimi perfekte që nuk po preket e ndalohet nga askush, pavarësisht demaskimeve mediatike, thirrjeve publike, ankesave apo historive të dhimbshme të dhjetëra-qindra qytetarëve, pavarësisht “hetimeve intensive” të Prokurorisë së Shtetit; paçka se qeveria dhe Presidenti e dinë fort mirë se ç’po ndodh; paçka se Guvernatori i Bankës së Shqipërisë është mbikëqyrësi direkt i kësaj skeme!

Mashtrimi po kthehet në “bumerang” për vetë sistemin bankar dhe rrezikon të përfshijë gjithë sistemin shoqëror në vend. Bankat e nivelit të dytë nuk kanë më mundësi praktike të përballojnë mijëra sekuestrimet që dalin nga Kutia Postare me Nr. 7469.

Banka “OTP Albania” konfirmon shifrën 4060 sekuestrime llogarish page familjarësh shqiptarë vetëm dy muajt e fundit. Zyrat e kadastrave dhe DRSHTRR-të (automjetet) në të gjithë vendin janë prekur nga mijëra shkresat që dalin nga Kutia Postare Nr. 7469. Me qindra shkresa të tjera “Për ekzekutimin vullnetar të detyrimit” u janë njoftuar në qendrat e punës qytetarëve nga kutia me numrin famëkeq 7469.

Mund të jenë 10 mijë, 30 mijë apo 100 mijë shqiptarë të prekur nga marifeti me kuti postare. Sot nga bankat konfirmohet shifra 4060 llogari bankare të sekuestruara që mbajnë adresën: Kutia Postare Nr. 7469.

Posta Shqiptare informon se Kutia Postare Nr. 7469 Tiranë i përket subjektit “Albanian Debt Consulting Agency” sh.p.k, shkurt ADCA dhe marrja apo dorëzimi i objekteve postare nënshkruhen nga një person i autorizuar që nuk është përmbarues. Ai është shtetasi G. K., punonjës i “Micro Credit Albania”.

ADCA dhe MCA, nëpërmjet Kutisë Postare Nr. 7469, mashtrojnë me mijëra shqiptarë “Në emër të Përmbarimit”. Një e vërtetë që nuk ka nevojë për Hetim, por vetëm për Ndalim!

Kutia Postare Nr. 7469 është simboli i adresës së mashtrimit publik, ashtu si MCA dhe ADCA funksionojnë pa asnjë logo zyrash, në zemër të pallateve “Usluga”, ironikisht apo qëllimisht vetëm 100 metra nga godina e SPAK-ut dhe GJPKKK-së.

Sheshpushimi në mes të pallateve “Usluga” është kthyer në makthin e përditshëm të dhjetëra, qindra qytetarëve që dhunohen e poshtërohen sistematikisht në emër të “Kredisë”, “Përmbarimit” apo “Borxhit” të pakthyer.

Në fakt, borxhet janë një skemë e mirëfilltë mashtrimi dhe riciklimi i mijëra çështjeve të vjetra bankare dhe përmbarimore, që janë lënë jashtë kontrollit shtetëror dhe më rëndë se kaq, jashtë mbikëqyrjes bankare që bën BSH.

Qeveria është njoftuar disa herë për këtë mashtrim publik dhe nuk vepron. Prokuroria ka dy vite që heton, por nuk arrin të gjejë asnjë fajtor.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë ka autorësinë e licencimit të shumicës së “barakave financiare” në vend, përfshirë mashtruesit publikë që përdorin Kutinë Postare Nr. 7469 dhe, për këtë arsye, as nuk flet dhe as mbikëqyr dot.

Ndërsa, Presidenti me një akt të pashembullt “dashurie” për Kushtetutën, pikërisht sot më 14 shkurt, i dërgon një dekret-propozim Kuvendit, për rizgjedhjen edhe një herë të Guvernatorit aktual, pasi e “vlerëson politikën e tij akomoduese për rimëkëmbjen ekonomike”, ndërkohë që politika e licencimit dhe “akomodimit” pa asnjë mbikëqyrje të institucioneve mashtruese financiare në vend, ka sjellë dukshëm plagë sociale për një pjesë të madhe të shoqërisë, veçanërisht të asaj pjese më në nevojë.

Dhoma e Përmbaruesve i bën thirrje gjithë opinionit publik të refuzojë dhe të kallëzojë menjëherë në organet kompetente mashtrimin që i bëhet në emër të “Përmbarimit” nga letrat fotokopje, që mbajnë jo adresa, por numra kutie postare.

Dhoma e Përmbaruesve, u bën thirrje bankave tregtare në vend të lirojnë menjëherë llogaritë bankare të mijëra qytetarëve, nëse në shkresat me përmbajtje përmbarimore gjendet adresa mashtruese: Kutia Postare Nr. 7469 dhe t’i denoncojnë menjëherë ato para organeve kompetente.

Dhoma e Përmbaruesve i lutet gjithë opinionin publik, të mos ngatërrojë përmbaruesit e ndershëm, të cilët mund t’i takosh personalisht në çdo moment të ditës, në zyrat që mbajnë logo dhe adresa publike, me Mashtruesit Publikë që fshihen pas telefonatave anonime, kutive postare dhe zyrave pa emër në hyrje të tyre.

Dhoma Kombëtare akuzon publikisht Guvernatorin aktual të Bankës së Shqipërisë, për licencimin pa asnjë kriter ligjor të disa institucioneve financiare jobanka dhe mikrokreditit në vend dhe, mosmbikëqyrjen totale të aktivitetit të tyre, në veçanti të Micro Credit Albania që në bashkëpunim me ADCA kanë shkaktuar për disa vite rresht, pasoja të rënda në jetën sociale të mijëra familjeve dhe qytetarëve shqiptarë.

Dhoma kërkon nga Kryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Prokuroria dhe Policia e Shtetit, të marrin masa të menjëhershme dhe të ndalojnë sot, pa asnjë ditë vonesë, pasojat e rënda sociale që ka shkaktuar dhe po shkakton fenomeni “Mbledhja e borxheve nëpërmjet mashtrimit dhe shantazhit”.

Çdo ditë që do të kalojë, pa veprime konkrete ligjore, do të jetë vonë dhe vonesë e pajustifikuar para publikut dhe qytetarit që pret zgjidhjen nga shteti brenda kuadrit ligjor dhe jo nga vetëgjyqësia si mjet që nuk njihet nga shoqëritë demokratike!

COMMENTS

WORDPRESS: 0