Zgjedhjet lokale të së dielës u karakterizuan me po të njëjtat probleme të zgjedhjeve të shkuara, pavarësisht investimit për aparatura të reja, votimit elektronik pilot në Elbasan, Kamëz dhe Vorë, si dhe pranisë së lartë të vëzhguesve vendas dhe të huaj.
Në zona të caktuara, sidomos ato më të izoluarat, përpjekjet për manipulim kanë qenë të shumta dhe të njohura tashmë. Votimi familjar nuk ishte i mundur të eleminohej as në këto zgjedhje.
Në KZAZ 29 në Vaqarr, votimi familjar ishte i pranuar nga të gjithë komisionerët pavarësisht përkatësisë partiake. Informim.al vëzhgoi procesin në këtë qendër votimi dhe ishte i qartë ndikimi i eksponentëve të Partisë Socialiste për të nxitur votues të merrnin pjesë, ndërsa pjesëmarrja ishte më e ulta e regjistruar ndonjëherë. Në këtë qendër, Pajisja Elektronike e Identifikimit (PEI) funksionoi normalisht gjatë gjithë ditës.
Në zona të tjera, u raportua i njëjti gabim që në hapje të qendrave. “Të dhënat e zgjedhësve mungojnë” deklaronte PEI dhe votimi u kalua me regjistër të emrave. Por disa orë më vonë, PEI-it nisën të punonin si për çudi, dhe votimi rikaloi me identifikim me atë të tij. Duke pasur parasysh që PEI nuk ka informacion mbi çfarë shkruhet në regjistër, mund të krijohen dyshime të forta për votim të dyfishtë, sidomos në ato zona më të largëta.
Në Elbasan, Vorë dhe Kamëz, besimi te votimi elektronik u vu në dyshim për shkak të disa defekteve të aparaturave, ku disa zgjedhës pretenduan se kishin zgjedhur tjetër kandidat dhe në letër ju printua tjetri. Edhe në këto bashki PEI doli me defekt dhe nisi të punonte disa orë pas hapjen së qendrës së votimit.
Votimi i të moshuarve në këto bashki u krye krejt i asistuar nga familjarë ose komisionerë, gjë e cila vë në pikëpyetje vlefshmërinë e votës së tyre dhe tërë procesit. Llogaritet që numri i atyre që kanë votuar të asistuar e jashtë rregullave mund të jetë i lartë mjaftueshëm për të ndikuar në rezultat, gjë që vë në pikëpyetje vlefshmërinë e këtyre zgjedhjeve.
Probleme të tjera të deklaruara në çdo qendër ishin edhe fshirja e lehtë e bojës timbruese, mospërdorimi i saj në disa zona kombinuar dhe me mosfunksionim të PEI-t, mungesa e komisionerëve pranë qendrave, prania në qendra e personave të paautorizuar, vëzhgues pa karta identiteti.
Në zonën e Kombinatit ku ka një përqendrim të lartë të minoritetit rom dhe egjiptian, u vu re sërish votimi familjar dhe i ndikuar nga shitblerja e votës. Nga raportime nën zë, një votë u shit nga 50mijë lek të vjetra e deri me pako ushqimore, për ata që ishin më në nevojë. Komuniteti instruktohet paraprakisht se cilët numra duhet të zgjedhin pasi shumë prej tyre nuk dinë as të lexojnë. Organizimi bëhet në nivel familjar, fisesh ose lagjesh.
Në fshatin Drizë të Fierit, pjesëmarrja ka kapur 24%, një shifër shumë më e ulët se e gjithë rretheve të tjera të vendit, që tregon se braktisja e zgjedhjeve ishte karakterizuese për këtë vit elektoral. Fshati Rom ka pjesëmarrje në nivel 9%, akoma më pak se Driza. Sidoqoftë, bashkia Fier u fitua bindshëm nga PS.
Niveli i ulët i pjesëmarrjes, më i ulti në krahasim me të gjitha zgjedhjet e mëparshme, lënë mënjanë zgjedhjet lokale të shkuara ku opozita nuk mori pjesë, është një tregues tjetër negativ dhe që vë në pikëpyetje vullnetin politik të shqiptarëve.
COMMENTS