Rritja e rasteve me fruth në Europë ka shtyrë Organizatën Botërore të Shëndetësisë t’iu tërheqë vëmendjen të gjitha shteteve që të marrin masat e duhura për të rritur mbulimin e popullsisë.
Mbulesa vaksinale e fruthit në vendin tonë ra 89% në vitin 2021 nga 95% që ishte përpara pandemisë. Sipas specialistëve të ISHP, aktualisht shifrat e fëmijëve të vaksinuar po rriten.
“Ka ecur shumë mirë, pavarësisht se në situatën e pandemisë kemi pasur shtyrje. Sipas të dhënave që kemi nxjerrë, mbulesa vaksinale me dozë të dytë e fruthit është mbi 92%”, thotë Rovena Daja, specialiste e ISHP për Euronews.
Vaksina e fruthit injektohet tek fëmijët në moshën 1 dhe 5 vjeçare, por prindërit ende kanë tendencë të mos e bëjnë në kohë dozën e parë për shkak të frikës së lidhjes së mundshme të kësaj vaksine me autizmin. Megjithatë, nuk ka asnjë studim i cili provon ndonjë lidhje midis autizmit dhe vaksinës MMR.
Fruthi, shytat dhe rubeola janë sëmundje të përhapura që shkaktohen nga infektimi
me viruse (virusi i fruthit, shytave ose rubeolës) dhe zhvillohen kryesisht te fëmijët,
por mund t’u shfaqen edhe të rriturve. Vaksina e kombinuar MMR ofron njëkohësisht
mbrojtje kundër fruthit, shytave dhe rubeolës. Nuk ekziston asnjë mjekim që mund të
shërojë fruthin, shytat ose rubeolën. Vetëm vaksinimi në kohë dhe i vazhdueshëm
MMR mund të sigurojë mbrojtje nga këto sëmundje (Robert Koch Institut)
Mbulesa vaksinale prej 95% ose më shumë i 2 dozave të vaksinës nevojitet për të krijuar imunitetin e tufës dhe parandalimin e përhapjes së sëmundjes. Aktualisht mbulesa vaksinale e fruthit në nivel global është 81% e fëmijëve me dy doza dhe 71% kanë marrë edhe dozën e dytë të vaksinës. Ata që rrezikojnë më tepër janë fëmijët e pavaksinuar dhe në 2019 humbën jetën katër fëmijë.
ISHP ka nisur marrjen e masave për të rritur mbulesën vaksinale duke kërkuar vërtetimin e vaksinimit të të gjithëve fëmijëve që ndjekin arsimin bazë.
COMMENTS