Punimet për ndërtimin e unazës së qytetit janë ndër projektet kryesore të Bashkisë së Beratit. Ky projekt përfshin sipërfaqe të konsiderueshme të zonës urbane e ndërkohë kalon edhe përgjatë shëtitores buzë lumit Osum.
Një nga zonat që do të preken është edhe lagjia ku banojnë familje rome. Që prej disa ditësh, këtyre të fundit u është kërkuar që të lirojnë banesat, ndërkohë që nuk është dhënë asnjë alternativë banimi. Nga 60 familje që ka ky komunitet, 30 rrezikojnë që për shkak të këtij projekti të dalin në qiell të hapur, në mes të dimrin.
Paqize Zërellari, anëtare e komunitetit rom, thotë se familja e saj përbëhet nga 12 anëtarë dhe shtëpinë e kanë ndërtuar me sakrifica të mëdha. Dy djemtë e saj kanë kaluar shumë vite në emigracion, me punë të vështira. Gjithë të ardhurat e emigracionit i vunë në këto muret e shtëpisë. E dëshpëruar ajo thotë se nuk do të largohet nga banesa, ndërkohë që kanë ende kredi për të shlyer. Zonja, Zërellari, duke ju drejtuar qeverisë dhe pushtetit lokal, u kërkon që ta ndihmojnë dhe të mos ja prishin shtëpinë, pasi është një padrejtësi e madhe t’i lënë jashtë në këtë muaj të ftohtë dhe në mesin e pandemisë.
Gëzim Hysenaj, një tjetër banor i kësaj lagjeje, gjithashtu i përfshirë nga frika dhe dëshpërimi, thotë se për shtëpinë në të cilën banon ka sakrifikuar shumë dhe nuk do ta lejojë që t’ia prishin. “Unë nuk lëviz nga banesa ime. Do të dal vetëm nëse Bashkia do të më japë mua dhe familjes sime një tjetër banesë të përshtatshme. Nëse nuk na japin zgjidhje do të ngremë çadrat në mesin e pedonales, para Bashkisë e nuk do të largohemi. Duam zgjidhje, ose do të futemi me gjithë fëmijët në grevë urije” – thotë zoti, Hysenaj.
70 vjeçarja Demiran Zërellari, një tjetër banore e moshuar dhe e sëmurë nuk e kupton se përse ata si komunitet vazhdojnë të trajtohen në mënyrë të padrejtë. “Unë i kam bërë këto shtëpi me shumë mundime dhe nuk do të pranoj të largohem nga banesa edhe sikur të vdes brenda saj. I bëj thirrje Kryeministrit të hedhë sytë nga ne. Jemi njerëz dhe merritojmë të ndihmohemi. Duam zgjidhje. Duam të jetojmë në shtëpitë tonë.”
E ulur në mes të banesës së saj, së bashku me fëmijët, dhe me lot në sy Nadire Hysenaj, kryefamiljare thotë se nuk do të largohet nga shtëpia të cilën e ka ndërtuar me paratë që ka marrë nga shitja e gjakut të saj. “Jemi pa asnjë të ardhur, jetojmë në varfëri, pa bukë. E vetmja gjë që kemi ëhstë kjo strehë, të culën tani duan të na e marrin. Nuk kemi ujë, kanalizime, na mbysin plehrat.” – thotë Zonja, Hysenaj. Më pas rrëfen se si njerëzit e bashkisë erdhën dhe u thanë që të lironin banesat e të iknin ku të donin. Me lot në sy edhe ajo i kërkon ndihmë qeverisë dhe Bashkisë.
Të ndodhur në këtë situatë shumë të vështirë, me rrezikun për të mbetur jashtë me fëmijë të vegjël, pleq e të sëmurë, i gjithë komuniteti rom i zonës i bën thirrje autoriteteve që të marrin masa dhe t’I trajtojnë si qenie njerëzore. Në të kundërt do të marrin masa ekstreme.
Përfaqësues të Bashkisë së Beratit, në këto rrethana u takuan me aktivistët e komuniteteve Romë & Egjiptianë si dhe banorëve, të cilët preken nga prishja e banesave. Në përfundim të takimit përfaqësuesit e këtij komuniteti kanë sugjeruar mundësi sistemimi në godina të dala jashtë funksionit pasi ato të përshtaten në banesa sociale nëpërmjet fondeve nga qeveria qendrore, por deri në bërjen gati të tyre, famijet të trajtohen me bonusin e qerasë. Puna, ndërkohë, është pezulluar, deri në zhvendosjen e banorëve të ambientet e reja të banimit.
COMMENTS