Bashkitë nuk përmbushin detyrimin ligjor për punësimin e personave me aftësi të kufizuar

Bashkitë nuk përmbushin detyrimin ligjor për punësimin e personave me aftësi të kufizuar

30 familje egjiptiane dhe rome nuk përfitojnë nga programi i Rikonstruksionit.Ja arsyeja përse u penalizuan.
Vërtet i erdhi keq “Medias” për komunitetin Egjiptian ?!!!
Policia bashkiake Tiranë sekuestron mallin e shitësve ambulantë (video)

Shqipëria numëron rreth 144.135 persona me aftësi të kufizuar, sipas një raporti të bërë nga Fondacioni Shqiptar për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar, mbështetur nga BE, botuar në mars të vitit 2019. Në këtë raport citohet gjithashtu se rreth 74,392 persona  janë përfitues në sistemin e sigurimeve shoqërore dhe 69,743 persona në sistemin e ndihmës sociale. Prej tyre, 19,288 persona me aftësi të kufizuara përfitojnë edhe pagesë kujdestarie. Ky raport analizon në mënyrë të detajuar Planin e Kombëtar të Veprimit për Personat me Aftësi të Kufizuar 2016-2020 në të gjitha hallkat e tij.

Një ndër këto hallka është punësimi dhe integrimi i personave me aftësi të kufizuar në jetën shoqërore. Sipas një vëzhgimit të Portës Vendore në 37 bashki të vendit, vetëm 20 prej tyre pranuan të japin informacion mbi këtë çështje, ku rezulton se numri i të punësuarve nga PAK është pothuajse inekzistent.

 

Kuadri ligjor për punësimin e personave me aftësi të kufizuar

Shqipëria ka rregulluar me ligjin “Për nxitjen e punësimit” edhe krijimin e hapësirave për punësim për personat me aftësi të kufizuar. Sipas këtij ligji, në Nenin 14, përcaktohen rregullat për punësimin e personave me aftësi të kufizuar. Në këtë nen ka disa pika, që detyrojnë sipërmarrësit dhe institucionet shtetërore të ofrojnë mundësi punësimi për personat me aftësi të kufizuar, të cilët kanë arsimin e duhur, janë trajnuar apo kanë një përgatitje të caktuar.

Në Nenin 15 të këtij ligji thuhet: “Çdo punëdhënës që punëson më tepër se 24 punonjës, është i detyruar të punësojë një person me aftësi të kufizuar për çdo 25 punonjës të personelit të tij. Një punëdhënës mund të punësojë një person me handikap të rëndë në vend të pesë personave me handikape të lehta”, thuhet në ligj, ndërsa është Ministria e Punës dhe Inspektorati Shtetëror i Punës që kontrollon zbatimin e këtij neni.

Ky është vetë një aspekt i ligjit, që favorizon dhe mbështet punësimin e personave me aftësi të kufizuar. Madje, në ligj përcaktohen dhe masa ndaj subjekteve në rast të mos punësimit të personave me aftësi të kufizuar. Megjithatë, kjo vlen kryesisht për subjektet private, pasi vetë shteti është një tjetër mekanizëm që duhet të ofrojë punësimin në administratën publike të këtyre personave. Ndaj në këtë shkrim do të fokusohemi pikërisht te zbatimi i ligjit nga institucionet publike, konkretisht bashkitë e vendit.

Aktualisht Bashkia Gramsh ka 341 punonjës dhe 6 prej tyre rezultojnë me aftësi të kufizuar. Megjithëse një ndër bashkitë më të vogla në qarkun e Elbasanit, kjo bashki ka punësuar një numër më të konsiderueshëm personash se bashkitë e tjera, por sërish është shumë larg respektimit të ligjit.

Tirana, vetëm 5 punonjës me aftësi të kufizuar

Tirana, si bashkia më e madhe në vend dhe me rreth 6 mijë të punësuar në të gjithë administratën dhe sektorët e saj, mësohet se në total në këtë bashki janë 5 punonjës me aftësi të kufizuar me detyrë specialistë. Sipas bashkisë së Tiranës asnjë nga punonjësit e sipërcituar, referuar karakteristikës së paaftësisë nuk ka nevojë për akses logjistik për të shkuar në vendin e punës. Pra, nga sa shihet nga informacioni zyrtar, bashkia më e madhe në vend, ka të punësuar gjithsej vetëm 5 punonjës me aftësi të kufizuar, ndonëse në total ka njëadministratë me më shumë se 6 mijë punonjës referuar raporteve zyrtare.

Pra, nëse do të bënim një përpjesëtim të drejtë të numrit të përgjithshëm të të punësuarve në bashkinë e Tiranës, pra rreth 6 mijë punonjës, me detyrimin ligjor që 1/25 punonjës të jetë me aftësi të kufizuar, del se sot bashkia e Tiranës do të duhet të kishte së paku 240 persona me aftësi të kufizuar të punësuar. Por kjo bashki ka aktualisht vetëm 5 punonjës me aftësi të kufizuar në administratën e saj.

Fieri është një nga bashkitë e mëdha të vendit, me numër punonjësish që kalon mbi një mijë vetë. Edhe në këtë bashki, vihet re përsëri një numër i ulët i personave me aftësi të kufizuar. Në total në bashkinë e Fierit punojnë vetëm 6 persona me aftësi të kufizuar, të cilët kanë role si nëpunës apo dhe sanitare. Sa i përket shifrave, e njëjta situatë si në dy bashkitë e para është edhe në Fier, ku numërohen në total rreth 1300 punonjës gjatë vitit 2020. Nëse do bënim një përpjesëtim, sot në Bashkinë Fier do të duhej të ishin të punësuar së paku rreth 50 persona me aftësi të kufizuar.

Bashkia Durrës, vetëm një të punësuar

Durrësi është një nga dy bashkitë me numrin më të madh të punonjësve të administratës. Megjithatë, ashtu si Tirana, edhe në këtë bashki duket se hapësirat për aftësinë e kufizuar kanë qenë të pakta. Nga informacioni zyrtar i raportuar nga kjo bashki për Portën Vendore, mësohet se në administratën e bashkisë është vetëm një punonjës. Durrësi ka në total rreth 1900 punonjës për vitin 2020, dhe nëse do të kishte një përpjesëtim të drejtë sipas detyrimit ligjor, sot në këtë bashki do të duhet të ishin rreth 100 punonjës me aftësi të kufizuar.

Ndërkohë, nga 37 bashki të cilave Porta Vendore u dërgoi kërkesë për informacion lidhur me numrin e punonjësve me aftësi të kufizuar që punojnë në pushtetin lokal, u përgjigjën vetëm 20 prej tyre, ndërsa bashkitë (Vlorë, Shkodër, Kurbin, Bulqizë, Përmet, Finiq, Himarë, Elbasan, Gjirokastër, Divjakë, Cërrik, Librazhd, Sarandë, Pukë, Malësi e Madhe, Dropull, Këlcyrë nuk kthyen përgjigje ndaj kërkesës për informacion të Portës Vendore

Numri i personave me aftësi të kufizuar në 20 bashki të vendit

Nga 20 bashki që i janë përgjigjur kërkesës për informacion, 4 prej tyre, Klos, Kolonjë, Lushnjë dhe Korçë, nuk raportojnë asnjë të punësuar me aftësi të kufizuar.

Gjithashtu një e dhënë tjetër interesante është fakti se në bashkitë që kanë persona me aftësi të kufizuar në administratën e tyre, vetëm në tre bashki ka punonjës që kanë pozicione drejtuese, konkretisht në Roskovec, 3 persona, Kukës dhe Vau i Dejës nga një person. Pjesa tjetër janë të punësuar në role specialistësh, punonjës në qendrat sociale, qendrat kulturore, roje, sanitare etj.

Pogradeci është bashkia që zyrtarisht raporton numrin më të madh të të punësuarve me aftësi të kufizuar në administratën e saj.

Kjo bashki ka 8 persona me aftësi të kufizuar, të cilët kanë pozicione të ndryshme pune. Ndërkohë, Porta Vendore i ka pyetur këto bashki lidhur me aksesin logjistik, në mënyrë që këta persona të kenë mundësi të punojnë dhe ofrojnë shërbimet e tyre.

Nga 20 bashkitë që kanë dhënë përgjigje, vetëm 10 prej tyre raportojnë se kanë mundësuar akses logjistik në mënyrë që punonjësit me aftësi të kufizuar të shkojnë në vendin e punës dhe të ofrojnë shërbimet e tyre (përkatësisht Berat, Lushnje, Dibër, Maliq, Kolonjë, Fier, Tiranë, Kamëz, Kukës, Roskovec). 10 bashki të tjera ose nuk i janë përgjigjur pyetjes, ose janë shprehur se nuk e kanë këtë akses apo janë duke punuar për ta ofruar.

INSTAT s`ka statistika për punësimin e personave me aftësi të kufizuar

Në mungesë të një përgjigje nga shumica e bashkive në vend, lidhur me punësimin e personave me aftësi të kufizuar, Porta Vendore iu drejtua institucionit kryesor të statistikave në vend lidhur me shifrat zyrtare. Në përgjigje të kërkesës bëhet me dije se INSTAT nuk disponon të dhëna lidhur me punësimin e personave me aftësi ndryshe (të kufizuar).

Duket e habitshme, por ky institucion e ka të paktën dy herë detyrim ligjor grumbullimin etë dhënave dhe publikimin e tyre lidhur me personat me aftësi të kufizuar në vend. Konkretisht, Ligji Nr. 93/2014 “Për përfshirjen dhe aksesueshmërinë e personave me aftësi të kufizuara”, në Kreun VI, Neni 17, detyron INSTAT të grumbullojë të dhënat për personat me aftësi të kufizuar. “INSTAT-i dhe strukturat përgjegjëse mbledhin të dhëna të përshtatshme statistikore dhe kërkimore, në përputhje me dispozitat për mbrojtjen e të dhënave, për të mundësuar politika dhe planifikime të aksesueshme dhe përfshirëse. Institucionet shtetërore, qendrore dhe vendore, mbledhin të dhëna statistikore për aftësinë e kufizuar sipas fushave ku ato operojnë.

Llojshmëria e periodiciteti i mbledhjes së të dhënave dhe mënyra e raportimit të tyre përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave”,thuhet në Ligj. Pra sipas këtij ligji, INSTAT duhet të grumbullojë të dhënat, të cilat më pas mund të përdoren për të hartuar politika dhe planifikime për aksesueshmërinë dhe përfshirjen. Gjithashtu Ligji “Për nxitjen e punësimit”, rregullon mbledhjen e të dhënave për punësimin në tërësi, ku përfshihen dhe personat me aftësi të kufizuar. Në Nenin 18 të këtij ligji thuhet: “Ministria përgjegjëse për çështjet e punës i siguron Institutit të Statistikave (INSTAT) statistikat e papunësisë së regjistruar, përveç atyre që rrjedhin nga regjistrimi i popullsisë dhe vëzhgimet statistikore të autorizuara nga INSTAT-i, si anketa e forcave të punës.

Ministria administron informacionin e mbledhur, në koordinim me INSTAT-in, në mënyrë që të ketë një sistem të harmonizuar të sistemit të mbledhjes të të dhënave dhe analizave”, citohet nga ligji. Ndaj mbetet e paqartë përgjegjësia mbi mungesën e të dhënave lidhur me personat me aftësi të kufizuar në vendin tonë.

 

 

COMMENTS

WORDPRESS: 0