Në një postim në faqen e tyre zyrtare në facebook, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka deklaruar për mediat se ka hartuar një plan masash për parandalimin e lypjes në Tiranë dhe të largimit të fëmijëve nga rruga.
Nisur nga fenomeni i fëmijëve në situatë rruge, situatë e cila i ekspozon fëmijët ndaj formave të dhunës, abuzimeve, shfrytëzimit dhe trafikimit, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës, ka hartuar një plan masash të përbashkët, për parandalimin dhe trajtimin e këtij fenomeni, në kryeqytet.
Më tej, DPVT shton se, “Këto grupe pune po monitorojnë terrenin, me qëllim identifikimin, vlerësimin e nevojave, dhënien e ndihmës së menjëhershme, referimin e rasteve dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të personave përgjegjës.”
Me vendimin nr. 129 datë 13.03.2019 është përcaktuar sesi menaxhohet në formë të mënjëhershme rasti i gjetjes së një fëmije në situatë rruge, si dhe cilat institucione marrin pjesë në bashkërendimin e veprimeve për të ndihmuar rastet e gjetura në terren. Skuadrat e terrenit kanë planin e tyre të punës dhe në VKM janë të përcaktuara qartë veprimet e policisë së shtetit. Është disi e paqartë se çfarë plani shtesë është hartuar nga Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, sepse nuk ka ende detaje në faqen zyrtare të Bashkisë Tiranë ose Këshillit Bashkiak mbi çfarë është vendosur.
Drejtësi Sociale, organizatë që ofron ndihmë ligjore për komunitetin rom dhe egjiptian, ka hasur në raste të fëmijëve të cilët janë evidentuar nga Njësia e Mbrojtjes së Fëmijëve. Por ajo që vihet re është se mangësia e ndërhyrjes për këta fëmijë në situatë rruge nuk është te shërbimet sociale ose te policia por gjatë fazës së fundit, ajo e hartimit të një buxheti për ta nxjerrë fëmijën nga situata e rrugës.
Për informim.al, avokati pranë Drejtësi Sociale, Gentian Sejrani thotë se me anë të kërkesave së tyre zyrtare për informacion, ka rezultuar se jo vetëm Tirana, po asnjë bashki e vendit nuk ka hartuar një fond specifik për secilin fëmijë të evidentuar në gjendje rruge. Në përgjigjen e marrë nga Bashkia Tiranë, nuk përmendet nëse është hartuar një fond për secilin nga rastet që janë evidentuar si në nevojë për ndërhyrje, kurse nga bashkitë e tjera, janë përcaktuar vetëm fonde të përgjithshme.
‘Ne i paraprimë nisjes së sezonit të turizmit dhe kemi kërkuar informacion nga bashkitë më të mëdha të vendit në lidhje me numrin e fëmijëve që janë evidentuar në situatë rruge. Ligjërisht, secilit fëmijë duhet t’i hartohet një plan individual mbrojtjeje. Por ajo që kemi marrë përgjigje na ka treguar të kundërtën. Fondet janë të natyrës së përgjithshme dhe jo individuale. Fëmijët trajtohen në grup, familja nuk ndihmohet në formë specifike dhe ndërhyrja dështon për shkak se nuk merren masa për të nxjerrë familjen e fëmijës nga qerthulli i varfërisë. Ata shpesh kthehen në rrugë pasi veç masave ndëshkimore ndaj prindërve, nuk janë marrë masa konkrete për ta hequr nevojën e familjes për ta nxjerrë fëmijën në rrugë për të lypur.’
Marrja e masave ndaj lypjes gjatë sezonit të verës, që përkon dhe me kohën e ardhjes së turistëve, jep idenë se masat po merren për të huajt që vizitojnë vendin e jo për të ndryshuar ose mbrojtur fëmijët e gjetur duke kërkuar lëmoshë.
COMMENTS