Avokati i Popullit ka inspektuar ambientet e komisariateve në Tiranë në lidhje me shoqërimet e të miturve dhe dhunën e ushtruar ndaj protestuesve.
Protesta në ditën e 5-të të saj vazhdon me përplasje mes forcave të policisë dhe protestuesve. Pasi pas dorëheqjes së Ministrit të Brendshëm Lleshaj protestuesit kërkojnë edhe dorëheqjen e Ardi Veliut, për vrasjen e Kolodian Rashës nga një efektiv i Policisë së Shtetit.
Avokati i Popullit gjatë inspektimeve ka konstatuar se disa nga protestuesit janë dhunuar gjatë shoqërimit në makinat e policisë edhe në ambientet e komisariateve përkatëse.
Gjatë protestës së datës 11.12.2020 Avokati i Popullit deklaron se janë shoqëruar gjithsej 133 persona, nga të cilët 36 të mitur. Të miturit janë lënë të lirë pas verifikimit të tyre.
Në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në datën 11.12.20 janë shoqëruar 26 persona, nga të cilët 7 të mitur. Në gjendje arresti kishin kaluar 7 persona, por asnjeri prej tyre nuk ishte i mitur. Në total në momentin e kryerjes së inspektimit, në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë gjendeshin 33 persona të arrestuar, një numër ky i lartë krahasimisht me kapacitetet përkatëse, veçanërisht në kushtet e nevojës për të garantuar distancimin për shkak të emergjencës shëndetësore.
Ndërsa në komisariatet nr 1,2,3,4,6 kanë kaluar në gjedje arresti 21 persona dhe disa prej tyre janë shpërndarë në rrethe për shkak të mungesës së hapësirave
Në dokumentin e publikuar nga Avokati i Popullit konstatohet se janë shoqëruar persona të cilët nuk kanë ndërmarë veprime të dhunshme, por edhe kalimtarë. “Nga personat e intervistuar pati pretendime për veprime të dhunshme nga ana e policisë, si edhe ankesa formale të paraqitura për të mundësuar më tej hetimin e institucionit tonë. Dy prej tyre kanë pretenduar se ndaj tyre është ushtruar dhunë (janë qëlluar me shpulla dhe grushta) në furgonin e policisë nga një punonjës i veshur civil dhe njërit prej tyre një punonjës i veshur civil i ka marrë dhe thyer celularin me të cilin po filmonte protestën; një person ka pretenduar se dy punonjësit e policisë që e kanë marrë në pyetje e kanë goditur me shuplakë dhe grusht në fytyrë kur ai nuk ka pranuar të nënshkruajë proceverbalin e marrjes në pyetje. Një prej tyre pretendoi se është goditur në kokë nga punonjës të policisë në çastin që është ndaluar, por nuk pati ankesa formale të paraqitura për të mundësuar më tej hetimin e institucionit tonë.”- shkruhet në raport.
Ndërsa në protestën e datës 12.12.2020 konstatohet se numri i të miturve të cilët janë shoqëruar ka qenë më i lartë. Nga 49 persona të shoqëruar 24 kanë qenë të mitur.
I mituri i intervistuar në në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë është shprehur se ka qenë në protestë si kalimtar. Në veprimet proceduriale të kryera me shtetasin e mitur, rezultoi se nuk janë respektuar parashikimet dhe standardet e legjislacionit lidhur me praninë e përfaqësuesit ligjor e psikologut, si edhe vendit të marrjes në pyetje. Ndaj tij nuk ishte ushtruar dhunë.
Ndërsa një nga 4 të miturit e shoqëruar në Komisraitin nr. 4 ka pohuar për përfaqësuesit e institucionit të Avokatit të Popullit se ndaj tij është ushtruar dhunë fizike në momentin e kapjes, nga punonjësit civilë.
COMMENTS