Ditën e sotme, Akademia e Studimeve Albanologjike ka njoftuar në një deklatarë në faqen e saj zyrtare në facebook se ka depozituar një kërkesë-padi kundra vendimit për shkrirje të saj, ndaj qeverisë shqiptare dhe Ministrisë së Arsimit dhe Sportit. Vendimi u mor nga Senati në datën 12 qershor dhe padia mban firmën e kryetarit të Senatit dhe rektorit, prof.dr. Luan Përzhita.
NJOFTIM ME RËNDËSI
Akademia e Studimeve Albanologjike njofton se, dje, e mërkurë, 21 qershor 2023 u depozitua në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë – Tiranë, kërkesë-padia për hapjen e procesit gjyqësor ndaj Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Arsimit dhe Sportit. Objekt i kësaj kërkesë-padie është shfuqizimi i vendimit nr. 338, datë 31.5.2023 të Këshillit të Ministrave “Për mbylljen e veprimtarisë së Akademisë së Studimeve Albanologjike dhe riorganizimin e instituteve kryesore të saj” dhe marrjen e masës së sigurimit të padisë duke vendosur pezullimin e zbatimit të aktit deri në përfundim të procesit.
Më 12 qershor 2023, Senati Akademik i Akademisë së Studimeve Albanologjike vendosi ndjekjen e procesit ligjor kundër aktit të paprecedent për mbylljen e veprimtarisë të një prej institucioneve më të rëndësishme të albanologjisë, arsimit të lartë dhe kulturës shqiptare. Ky vendim është marrë në kundërshtim të procedurave ligjore dhe nënligjore të parashikuara nga vetë Këshilli i Ministrave dhe nga ana tjetër, në mungesë totale të konsultimit paraprak me institucionin. Si veprime që bien në kundërshtim me ligjin, kërkohet shfuqizimi i tyre.
Kërkesë-padia mban firmën e kryetarit të Senatit, njëherësh rektor i ASA-s, prof.dr. Luan Përzhita.
COMMENTS