Ramazan Rraja, nipi i deputetit Rrahman Rraja është arrestuar pasditen e sotme, pasi është kapur teksa lëvizte me armë pa leje në vendin e quajtur Ura e Gjoles.
Pak muaj më parë, në banesën e Ramazan Rrajës janë ushtruar dy kontrolle, pasi dyshohej si person që kishte dijeni për atentatin ndaj ish prokurorit Arjan Ndoj.
SPAK-u lëshoi urdhër për shoqërim të detyrueshëm të tij për të dhënë dëshmi, por në momentin e kontrollit Rraja nuk u gjend në banesë, dhe u paraqit pak kohë më vonë. Pasi u mbajt për disa orë në policinë e Tiranës, Rraja u la i lirë.
Dyshohet se Ramazan Rraja së bashku me kushëririn e tij Redjan Rraja tashmë në burg organizuan sulmin në mbikalimin e Shkozetit ndaj prokurorit Arjan Ndoj dhe një personazhi të njohur të botës së krimit Aleksandër Lahos (Pëllumb Muharremi) të cilët mbetën të plagosur ndërsa shoferi Andi Maloku ndërroi jetë.
Muajt e fundit policia e ka pasur në vëmendje Ramazan Rrajën të cilin e ka shoqëruar në tetor të vitit të kaluar për ta pyetur për atentatin në mbikalimin e Fushë Krujës ku humbën jetën 3 të rinj si edhe në nëntor kur u kap tek mbikalimi i Rinasit duke udhëtuar me makinë të blinduar.
Pasi SPAK nxori urdhër ndalimin për të më 17 janar Ramazan Rraja qëndronte i fshehur në Durrës, Tiranë dhe Lezhë. Policia organizoi disa operacione për arrestimin e tij që rezultuan pa sukses derisa mori informacion të saktë mbrëmjen e së mërkurës dhe e vuri në pranga.
COMMENTS