Një familje e tërë që ushtronte veprimtari kriminale është arrestuar ditën e sotme në Elbasan pasi në banesë iu gjetën 5 kg kanabis dhe disa municione luftarake.
Me finalizimin e operacionit policor të koduar “Relatives”, nga Seksioni kundër Narkotikëve, në bashkëpunim me Seksionin Operacional dhe “Shqiponja”, në Elbasan u arrestuan shtetasit:
I. Ç., 46 vjeç, M. Ç., 41 vjeçe (bashkëshortë) dhe shtetasi D. Ç., 23 vjeç (djali i tyre).
Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ushtronin veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve.
“Gjatë kontrollit në dy banesa në përdorim nga kjo familje, në Gramsh, janë gjetur dhe sekuestruar 5 kg lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa, që dyshohet se janë prodhuar dhe përgatitur për shitje nga 23-vjeçari dhe prindërit e tij,” njoftoi policia.
Gjithashtu, gjatë kontrollit të dy banesave u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale edhe një sasi municioni luftarak.
Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për veprime të mëtejshme procedurale.
COMMENTS