Në rubrikën Ka një Mesazh për ty, të datës 25 shtator 2022 të “E diela shqiptare” në Tv Klan, opinioni publik u njoh me rastin e Anxhelës, një grua nga komuniteti egjiptian i qytetit të Korçës dhe historisë së saj të vështirë. Anxhela lindi në një familje me shumë fëmijë, me baba që e la atë në moshën 6 vjeçare dhe familjen në vështirësi të mëdha ekonomike. Anxhela tregon për fëmijërinë e saj pas vdekjes së të atit, rreth punëve dhe mënyrave që e ëma kishte përdorur për t’i ushqyer. Anxhela martohet në moshën 16 vjeçare me të shoqin, gjithashtu në kushte të vështira ekonomike, dhe sot jeton në Tiranë bashkë me pesë fëmijët e saj. Për të mbijetuar dhe përballuar shpenzimet financiare të mjekimeve për vete dhe fëmijët, Anxhela lypte në qendër të Tiranës. Një ditë, një çift e pikas dhe i kërkon asaj kontakt. Ata e ndihmojnë në fillim me ushqime, të mira materiale dhe ndihmë në lidhje me problematikat e përditshmërisë, deri në gjetjen e një shtëpie me qira në Tiranë, të paguar prej tyre.
Në emision, Anxhela i fton bamirësit për t’i falenderuar për ndihmën e dhënë. Nga biseda paraprake dhe më pas në studio, del në pah një konflikt midis Anxhelës dhe bamirësve të saj. Ata duan që Anxhela të mos punojë më si ricikluese dhe të ndalojë fëmijët e saj prej mbledhjes pranë koshave. Një prej arsyeve të përmendura janë problemet shëndetësore që mund të shkaktojë si punë, ashtu si edhe problemet sociale, lënia e shkollës dhe paragjykimi ndaj një pune të tillë në shoqëri. Anxhela tregoi që puna si pastruese nuk paguante mjaftueshëm për përballimin e nevojave të familjes së saj, një element që nxjerr në pah problemin aktual të minimumit jetik në Shqipëri. Dukshëm, paga minimale nuk është e mjaftueshme për ushqimet bazë, faturat e dritave dhe ujit dhe qira të mundshme. Nga ana tjetër, Anxhela përmend edhe pamundësinë që ka një punë e tillë për fleksibilitet dhe marrje lejeje. “Unë mund të iki dhe të kthehem kur të dua te koshat, kurse puna në pastrim më mban të lidhur.” Sektori privat në Shqipëri ka shumë probleme me mosrespektimin e Kodit të Punës dhe fleksibilitetit në orare, pamundësisë për të marrë leje të zakonshme pa të drejtë page dhe leje për shkak të sëmundjeve. Të qenët të varfër i predispozon akoma më tepër ata drejt dëmtimeve në kushet e punës dhe i detyron të vazhdojnë punën pranë koshave, paçka presioneve të shumta, diskriminimit dhe moslejimit nga strukturat bashkiake.
Nga shpërndarja në rrjetet sociale, kishte një reagim pozitiv nga komentuesit ndaj situatës së Anxhelës, që më tepër anon nga lavdërimi i punës së bamirësve. Sensibiliteti ndaj Anxhelës dhe situatës së saj është krahasueshëm më i ulët: një koment me numër të madh reagimesh, shprehet se është i befasuar nga papërgjegjshmëria e gruas së re për të ndryshuar jetën e saj. Komente të tjera hapur përcaktojnë të qenët rom apo egjiptian si arsye përse Anxhela dëshiron të vazhdojë punën si mbledhëse dhe ricikluese, si diçka që ajo e “ka në gjak”, disa përdorin terma denigrues për të, si “arixheshka/jevga që shkon në fis”. Këto komente tregojnë sa e pranueshme është ende për vendin tonë të përdoren terma të tillë denigrues në postime publike, ku mund të shihen nga gjithkush. Mund lehtësisht të deduktohet që në jetën e përditshme, një komunikim i tillë sa vete e vetëm rëndohet. Nga ana tjetër, tregon edhe informimin e ulët që kanë qytetarët për kushtet e jetesës në varfëri ekstreme dhe për të drejtat që atyre vetë iu shkelen.
Mënyra se si prezantuesi i emisionit, Ardit Gjebrea, e trajtoi situatën, ishte brenda të gjitha parametrave të etikës. Ai tregoi një inteligjencë të lartë në të kuptuarin secilën palë. Emisioni tentoi të vinte në pah varfërinë ekstreme pa u fokusuar te ngjyra apo origjina, por te cikli i vazhdueshëm i varfërisë ekstreme dhe mundësive reale që kanë për të dalë prej andej. Një mënyrë e tillë e paraqitjes së jetës së komunitetit rom dhe egjiptian në varfëri ekstreme ndihmon që problematikat e tyre të adresohen në kuadër të gjendjes ekonomike, pa dallim ngjyre, dhe të integrimit të tyre si qytetarë shqiptarë me të drejta të barabarta për të marrë pjesë në shoqëri.
COMMENTS