Mbledhja dhe shitja e mbetjeve të riciklueshme është, shpesh, mënyra e vetme e mbajtjes së frymës gjallë për në pjesë të mirë të komunitetit rom. Pavarësisht kësaj të shumta janë rastet kur u duhet të përballen me Policinë Bashkiake dhe të vihen nën presion prej saj. Shpesh gjobiten, apo u sekuestrohet malli. Amarildo Basi ishte njëri prej mbledhësve të hekurishteve, një djalosh 23 vjeçar. Dy ditë më parë, ndërsa po kryente punën e zakonshme të ditës, ra në kontakt me një tel të zhveshur dhe jeta e tij e re u këput në mes…
Kush ishte Amarildo Basi?
Babai i tre fëmijëve dhe burri i gruas shtatëzënë, prej vitesh siguronte jetesën duke mbledhur e më pas shitur mbetjet e riciklueshme. Dy vite më parë ishte përpjekur të ndryshonte punën e tij, duke filluar si shitës ambulant në tregun e Shkozës, por pasi e pa që të ardhurat nuk i mjaftonin për të mbajtur familjen iu kthye sërish mbledhjes së hekurishteve.

Nadire Rustemi, e afërme e Amarildos
“Ka qënë një djalë që është na është gjendur pranë, ka qenë punëtor. Bënte sakrifica i shkreti. Mbante fëmijët me bukë. Kur ata qanin i ndihmonte lagjia i jepin gjysmë buke, një pako makarona. Ai ka qënë një djalë flori, jetim, s’iu dëgjua zëri në lagje. Dorë për të vjedhur nuk kishte. Nuk e di ka shkuar për të gërmuar atje, për ndonjë hekur.”- tregon mes lotësh Nadirja, një e afërmja e tij.
Më tej Drita një tjetër fqinje e Amarildos shprehet se ai ishte një person, i cili rrezikoi jeten e tij për të ushqyer fëmijët.

Drita Korra, Fqinje
“U rrit pa baba, jetim, me halle. U martua 16-17 vjeç, baba i 3 fëmijëve në pritje të 4-tit. I dha shteti një garsoniere të vogël. Shkonte punonte me hekurat, nëpër kazanat e plehrave. Shumë vuajtje, derisa rrezikoi jetën e vet se i qanin fëmijët për bukë. U detyrua i shkreti, u fut atje dhe humbi jetën. Ai kishte një motor, që ja mori shteti dhe ishte me detyrim paraqiteje.”- tregon ajo.
Pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme për t’ia dalë mbanë, Amarildo jetonte në një hapësirë të ngushtë bashkë me 3 fëmijët dhe gruan shtatëzënë.
Sipas banorëve, ceremonia mortore po bëhet në shtëpinë e mamasë së tij në Lana Bregas dhe për të gjitha nevojat po kujdesej motra e tij, e cila kishte humbur burrin dy vite më parë, në tentativat e tij për të mbledhur mbetje të riciklueshme.
Ky lajm u përgatit nga Informim.al
COMMENTS