Pas denoncimit të organizatës Drejtësi Sociale pranë Autoritetit të Mediave Audiovizive dhe Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, AMA ka vendosur se masat e marra nga Top Channel, janë të mjaftueshme. Në përgjigje të ankesës së drejtuar, AMA shprehet se:
“Në përgjigjen e tyre, Nr.1623/1 Prot. datë 02.05.2023, subjekti audioviziv “Top Channel” bëri me dije se “për shkak të gjuhës së përdorur nga z.Ngjela në emisionin “Më lër të flas” të datës 14 Prill 2023 është marrë si masë që z.Ngjela të mos jetë më prezent në emision, në asnjë prej puntatave në vazhdim.”
Pavarësisht se ligjërisht, AMA ka të drejtë të vendosë gjobë për rastin e shkeljes flagrante të të drejtave të viktimave të dhunës, vihet re sidoqoftë marrja e një mase sado minimale, për rastin.
Juristja Gjyljana Bakalli, aktiviste pranë Drejtësi Sociale u shpreh për informim.al se,
“Masa e marrë është tepër e vogël. Sipas nenit 133, referuar shkeljes së nenit 33, ishte e mundur e legjitimuar vendosja e një gjobe, që rasti të mos përsëritet. Raste të tilla nuk mund të lihen pa u ndëshkuar, nëse duam që të mos përsëriten.”
Për informim.al, aktivistja Adela Radovani tha se,
“Fatkeqësisht, për rritje të shikueshmërisë dhe klikime, vihet re sot një tendencë e mediave drejt skandalit dhe deklaratave bombastike, titujve “click-bait”, pa marrë parasysh lëndimin e të tjerëve. Ligji i sapomiratuar për mediat audiovizive kanë shtuar muajin që shkoi një pikë në lidhje me seksizmin. Ky reagim i AMA është zhgënjyes për ne.”
KMD ende është në proces të hetimit të çështjes dhe pritet edhe një vendim nga ana e këtij institucioni në lidhje me rastin.
COMMENTS