Akademia e Studimeve Albanologjike në rrezik “gllabërimi” nga Akademia e Shkencave

Akademia e Studimeve Albanologjike në rrezik “gllabërimi” nga Akademia e Shkencave

Raporti, Banka Botërore: 63% e nxënësve në Shqipëri në varfëri mësimore
Mësimi online/‘Qëndresa Qytetare’: Paratë e studentëve shpenzohen për godinat, zero para për digitalizimin e shërbimeve
Librat falas/ Prindër e nxënës shprehen të shqetësuar

Akademia e Studimeve Albanologjike rrezikon shkrirjen e saj sipas një projekt vendimi të publikuar në media. Ky projekt vendim i Këshillit të Ministrave, përgatitur nga Ministria e Arsimit dhe Sportit në pikën një të tij urdhëron mbylljen e ASA dhe transferimin e të gjitha të drejtave dhe detyrimeve të saj Akademisë së Shkencave.
ASA ishte e fundit që u informua për këtë vendim, duke shkaktuar një përplasje institucionale dhe shqetësim të madh të akademikëve. Pas një mbledhje të zhvilluar të Senatit të ASA, në një komunikatë për media ky Senat u shpreh kundër këtij vendimi të mundshëm të Këshillit të Ministrave dhe dëshmoi se albanologjia rrezikon në rast miratimi të tij.
Nëse miratohet, ky vendim do shkelë parimet e lirisë akademike dhe shkakton një akt të rëndë antikombëtar duke shuar këtë akademi dhe institutet përbërëse të saj, thotë Senati, përveçse një shkelje të hapur të ligjit për Arsimin e Lartë. Sipas komunikimit të parë për mediat, rektori Luan Përzhita nënvizoi se lajmi ishte i papritur dhe i qe referuar atyre në moment të fundit.
Bazuar në Ligjin për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor në Shqipëri, është Senati i ASA-së i vetmi institucion që mund të shprehet për fatin juridik të saj. Ky senat, sipas deklaratës së mbajtur sot, as nuk është njoftuar për këtë projekt vendim. Projektvendimi parashikon që procesi i shkrirjes të mbyllet në dhjetor të vitit 2023.

Akademia e Studimeve Albanologjike u krijua në mars të vitit 2008 në kuadër të ristrukturimit të sistemit universitar dhe akademik shqiptar, me vendim të Këshillit të Ministrave, nga bashkimi i katër Instituteve (Arkeologji, Gjuhësi dhe Letërsi, Histori, Kulturë Popullore) dhe i dy njësive kërkimore (Studimi i Artit, Enciklopedia Shqiptare) të ish-Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë. Sipas rektorit, ky është një institucion tërësisht kërkimor dhe nuk ka lidhje me Akademinë e Shkencave, që përfaqëson një vlerësim honorar të akademikëve tashmë “në pension”.

Ditën e djeshme Senati ka dalë në këtë deklaratë për shtyp:
Tiranë, më 27.05.2023
Senati i Akademisë së Studimeve Albanologjike u mblodh sot me urgjencë për të diskutuar raportin përfundimtar të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit “Mbi kontrollin e pajtueshmërisë së veprimtarisë së Akademisë së Studimeve Albanologjike me aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi” i datës 25.05.2023, i cili rekomandon mbylljen e veprimtarisë së këtij institucioni si institucion i arsimit të lartë të llojit “Akademi”. Veç kësaj, nga dita e djeshme ka qarkulluar në media një formë e Projektvendimit të Këshillit të Ministrave “Për Mbylljen e Veprimtarisë së Akademisë së Studimeve Albanologjike dhe Riorganizmin e Njësive kryesore të saj”. Për sa më sipër, Senati i Akademisë së Studimeve Albanologjike, pas mbledhjes së sotme doli me një deklaratë për shtyp ku sqarohet se Projektvendimi për Mbylljen e Veprimtarisë së Akademisë së Studimeve Albanologjike dhe Riorganizminn e Njësive kryesore të saj shkakton sa më poshtë:
1. Shkelet ligji për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor në Shqipëri, duke krijuar precedentin e rrezikshëm të mbylljes së pabazuar të një Institucioni Publik të Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor dhe për më tepër sot, të së vetmes Akademi Albanologjike. Konkretisht ASA nuk është njoftuar për këtë Projektvendim, dhe së dyti, sipas Ligjit për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor në Shqipëri, është Senati i ASA-s, i vetmi institucion që duhet të shprehet për fatin juridik të ASA-s. Deklarojmë se Senati vijimisht si dhe sot, është shprehur dhe shprehet kundër mbylljes së ASA-s.
2. Mbyllja e ASA-s shkakton pushimin e mbi 45 marrëveshjeve ndërkombëtare, ku ky institucion është palë si IAL, dhe asnjë institucion tjetër nuk ka tagër t’i mbartë.
3. Shuhen Institutet duke i shndërruar ato në njësi kërkimore, që sipas nenit 19 të ligjit për Akademinë e Shkencave, janë ose njësi dyvjeçare ose afatgjata, pra me kohë të kufizuar.
4. Vendosjen nën kontroll të dijes akademike në lëmejt e albanologjisë, pasiqë struktura organizative e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (ASHSH), është krejtësisht e centralizuar në duar të Kryesisë së Akademisë së Shkencave.
5. Ndërpret karrierën e afro 100 studiueve, pasiqë Ligji për Akademinë e Shkencave, nr. 53, 2019 nuk parashikon në asnjë klauzolë as procedurën e punësimit në Akademinë e Shkencave, e jo më vijimin e karrierës akademike.
6. Ndërpret studimet doktorale të studentëve pranë ASA-s.
7. Referimi te neni 19, është i pabazë kur bëhet me propozim nga MAS, pasi ky nen nuk parashikon të merret si referencë ligjore nga një institucion jashtë Akademisë së Shkencave.
Sa më sipër, konstatojmë se ky Projektvendim shkel rëndë Ligjin nr. 80, për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor në Shqipëri, si dhe vetë Ligjin për Akademinë e Shkencave, nr. 53, 2019. Shkel parimet e lirisë akademike, shkakton një akt të rëndë antikombëtar duke shuar Akademinë e Studimeve Albanologjike e bashkë me to dhe institutet pjesë përbërëse të saj.
Senati i Akademisë së Studimeve Albanologjike

asa vendimi

COMMENTS

WORDPRESS: 0