‘Informim.al’ organizoi një takim me përfaqësuesit e komunitetit rom dhe egjiptian në qytetin e Elbasanit me temë: “Pjesëmarrja e përfaqësuesëve të komunitetit rom dhe egjiptian në procesin zgjedhor, në Shqipëri në 30 vjet dhe sfidat aktuale në prag të zgjedhjeve të 25 prillit.”
E drejta për të marrë pjesë në çështjet publike dhe politike është thelbësore për çdo individ, grup, entitet, pakicë në një shoqëri demokratike. Megjithatë në Shqipëri, edhe pse romët dhe egjiptianët përbëjnë një pjesë jo të vogël të popullsisë, nuk kanë pasur kurrë një zë që t’i përfaqësojë denjësisht si në pushtetin lokal, ashtu edhe atë qëndror.
“Nuk jemi përfshirë në zgjedhje. Nuk kemi patur kandidatë që të na përfaqësojë në të gjitha vitet e demokracisë. Nuk ka patur aktivitete që të na informojnë në lidhje me programin e një partie politike”-u shpreh njëri prej pjesëmarrësve në takim.
Romët, në përgjithësi kanë votuar rregullisht, por jo rrallë vota e tyre manipulohet dhe mbi të gjitha nuk u ka sjellë asnjë ndryshim pozitiv. Shpesh ata keqpërdoren nga forca të ndryshme politike përmes manipulimeve të ndryshme që nga blerja e votive e deri te mashtrimet me premtimet e bëra.
“Kohë më parë ne si komunitet u organizuam për të bërë një protestë, para Bashkisë Elbasan. Më lejoni të jap këtu një rast të qartë të blerjes së votës. Ndërsa po bashkëbisedonim me përfaqësues të institucionit vendor, i’u shpëtoi nga goja dhe i tha një zonje nga komuniteti – ju e keni shitur votën 50 mijë lekë. Çfarë kërkoni tani nga ne? Pikërisht këtu duhet të nisë ndryshimi. Vota nuk duhet as shitur, as këmbyer me favore, pavarësisht varfërisë ekstreme në të cilën ndodhemi të gjithë si komunitet. Megjithatë kemi raste të shitjes së votës. – thotë një i ri aktivist.
Të pranishëm në këtë takim ishin gazetarë, aktivistë dhe përfaqësues të komunitetit rom dhe egjiptian. Përfaqësues të Informimi.al folën për një sërë problematikash.
“Në momentin që njerëzit nuk reagojnë, pushteti ka tendencë që ta shtrëngojë lakun. Nuk është se politkanët janë aty me shpirt dhe zemër. Janë aty sepse duhet ta bëjnë atë punë dhe jemi ne ata që jua japim pushtetin atyre. Nëse nuk i votojmë, nëse nuk i konsiderojmë, ata marrin fund, që do të thotë secili prej nesh ka një fuqi të vogël në vetvete, por të madhe në tërësi. Dhe zakonisht komunitetet që janë të bashkuara, komunitetet që kanë individë që i besojnë njëri-tjetrit, individë të shkolluar që mendojnë në një mendje të përbashkët dhe jo individualisht dhe që arrijnë të organizohet, ja dalin të nxjerrin individë që t’i përfaqësojn denjësisht. Ndoshta, dhe në rastin e komunitetit tuaj, është momenti që të gjendet një person që ju unifikon dhe sigurisht që njerëz të tillë ka. Ndryshe, askush nuk do të ju japë atë çfarë kërkoni. Do kalojnë dhe 30 vite të tjera dhe do jemi në të njëjtën situatë ju bashkë me ne.”
Nisur nga mungesa e njohurive të pjesëmarrësve mbi ndryshimet e kodit zgjedhor dhe mënyrës së votimit, juristi i “Drejtësi Sociale”, Gentian Sejrani,i shpjegoi atyre në mënyrë të thjeshtë përmbajtjen e fletës së votimit dhe sesi do shpërndahen mandatet e deputetëve.

Juristi i “Drejtësi Sociale” Gentjan Sejrani.
Gjithashtu, ai bëri njëpërmbledhje të këtyre 30 viteve duke filluar nga 90-ta deri në vitin aktual sesi ka qenë qasja e këtij komuniteti në politikë dhe në zgjedhje. Gjatë fjalës ai u shpreh se, fatkeqësisht këto komunitete nuk janë marrë seriozisht nga partitë politike, pasi kanë gjetur mënyrën se si t’ia marrin e votën nëpërmjet këmbimit me të mira materiale.
Teksa njëri prej pjesëmarrësve, në këtë takim, fliste rreth problemeve që has në jetën e përditshme, ai theksoi se shqetësimi më i madh me të cilin përballet është papunësia.
“Problemi im më i madh është papunësia. Nga viti 1996 jam i papunë. Shteti asnjëherë mua ose gruas sime nuk na e ka mundësuar punën .Unë kam që në vitin ‘96 që trajtohem me ndihmë ekonomike. Ne kemi bërë ankesa, kemi bërë takime me avokatin e popullit, me drejtorinë e diskriminimit por fjalët tona kanë rënë në vesh të shurdhët”- thotë një tjetër anëtar i komunitetit rom dhe egjiptian i pranishëm në këtë mbledhje.
Nga ana tjetër, njëri prej të pranishmëve thotë që asnjë parti politike nuk ka bërë asgjë për ne.
“Vetëm falë Lëvizjes Rinore Rome dhe Egjiptiane dhe organizatave të tjera problemet tona janë diskutuar në këshillin bashkiak.”– thotë i pranishmi në takim.
Raxhi Rakip, i cili është anëtar i Këshillit Bashkiak në Elbasan lajmëroi largimin sapo të mbarojë mandatin, pasi shprehet shumë i zhgënjyer nga gjërat që ndodhin aty.
“Unë jam ende pjesë e këshillit Bashkiak Elbasan, pasi PS më ftoi, duke qenë se kisha impakt në komunitet. E kam pranuar atë pozicion për t’i ardhur në ndihmë komunitetit. Falë përcjelljes së problemeve kemi bërë disa gjëra, por unë nuk do vazhdoj më. Jam i zhgënjyer. Pres derisa të më mbarojë mandati për t’u larguar.
Ky aktivitet u organizua nga Informimi.al në kuadrin e projektit: “Media aktive në ndihmë të komunitetit rom dhe egjiptian”, pjesë e programit: “Media for All – supporting greater media independence in Western Balkans”./Informim.al
COMMENTS