Bizneset shqiptare ka kohë që kanë shfaqur probleme dhe vështirësi në mbijetësën e tyre, e nga ana tjetër pandemia Covid-19 i ka dhënë akoma edhe më shumë një goditje më të madhe, sa shumica prej tyre kanë ulur qepenin dhe nuk dinë se çfarë do të bëhet me ta.
Në një situatë të tillë në pamundësi për të përballuar pagesat mujore, pagat ndaj punonjësve janë detyruar të mbyllin bizneset e tyre e të dalin rë papunë së bashku me stafin punonjës dhe kështu të dhënat nga Drejtoria e Tatimeve për periudhën Maj-Dhjetor 2019 kemi 6600 subjekte që rezultojnë në listën e subjekteve passive.
E nëse do të flasim për sektorin më të goditur nga Covid-19 është padyshim sektori i turizmit , ku sipas drejtorive rajonale tatimore rezulton se rajonet që e kanë bazuar aktivitetin e tyre tek fusha e turizmit kanë edhe numrin më të lartë të mbylljes së bizneseve për periudhën Janar-Dhjetor 2020.

Foto: Rritja e bizneseve të kaluara në status pasiv MAJ-DHJETOR 2019 %
Kështu, bizneset e kaluara në status pasiv për periudhën në shqyrtim janë:
a)Vlorë 107% më të larta se një vit më parë.
b)në Sarandë, mbylljet janë rritur me gati 60%, në Shkodër me 64%,
c)në Korçë me 56%.
d)në Kukës, ku përfshihet dhe Tropoja, që vitet e fundit ka zhvilluar turizmin malor, pezullimet e subjekteve janë rritur me 74%.
Më i favorizuar ka qenë Durrësi, ku bizneset për shkak të afërsisë me Tiranën dhe fluksit të lartë të shtetasve nga Kosova në shtator-tetor duket se kanë arritr të rezistojnë disi. Mbylljet e subjekteve, sipas Drejtorisë tatimore Rajonale Durrës janë rritur me 16% me bazë vjetore, në maj-dhjetor 2020.
Krizës nuk i ka shpëtuar as kryeqyteti, ku veprojnë rreth 40% e subjekteve të regjistruara në vend. Numri i bizneseve të kaluara në status pasiv në Tiranë është rritur me 35% për periudhën në shqyrtim.
Të dhënat e tatimeve tregojnë se në të gjitha rajonet, numri i subjekteve që kanë kaluar në status pasiv është rritur me ritme dyshofrore, me përjashtim të Lezhës (+7.6%) dhe Dibrës, që është e vetmja ku numri i subjekteve të mbyllura është më i ulët se në 2019-n (-10.4%).

Foto: Ndryshimi vjetor i shkallës së papunësisë sipas qarqeve
Mbyllja e bizneseve ka ndikuar dhe në rritjen e numrit të të papunëve në vend dhe ,sipas të dhënave administrative, shihet se nga totali prej 29 mijë e 600 personash, që kanë humbur punën gjatë një viti, mbi 10 mijë i takojnë sektorit privat, 17 mijë sektorit bujqësor dhe 1600 persona, sektorit shtetëror (për të papunët në sektorin bujqësor, të dhënat administrative i referohen Anketës së Forcës së Punës).
Në 6-mujorin e parë, sipas të dhënave administrative, por dhe atyre nga Anketa, dolën të papunë rreth 50 mijë persona, si rrjedhojë e karantinës së ashpër, që detyroi mbylljen e qindra bizneseve dhe goditjes që eksportuesit morën nga rënia e porosive nga partnerët e tyre jashtë. Ndërsa në 3-mujorin e tretë, të dhënat administrative tregojnë një rimëkëmbje të dobët, ku 30 mijë persona ende janë jashtë tregut të punës.
Të dhënat e tjera sipas qarqeve, tregojnë se në rajonet ku mbylljet e bizneseve kanë pasur rritur më të lartë, kjo ka ndikuar në shtimin e papunësisë.
Qarqet e Shkodrës, Vlorës dhe Korçës panë rritjen më të lartë vjetore te papunësisë në tremujorin e tretë të këtij viti, sipas të dhënave zyrtare që referohen nga Anketa e Forcave të Punës.
Të dhënat mbi papunësinë sipas qarqeve tregojnë se Shkodra shënoi një rritje të treguesit në tremujorin e tretë me 6.4 pikë përqindje në raport me të njëjtën periudhe të një viti më parë, duke arritur në 15%, nga 8.6% në tremujorin e tretë 2019.
Pas Shkodrës, Vlora ishte qarku i dytë më rritjen e më të lartë të papunësisë me 3.3 pikë për qind (pp) në raport me një vit më parë, e ndjekur nga Korça me 2.4 pp rritje, Lezha me 2.4 pp përqind, Elbasani me 1.6 pikë pp dhe Berati me 0.5pp.
Në krahun tjetër Dibra dhe Gjirokastra shënuan rënie të normës së papunësisë në raport me një vit më parë përkatësisht me 3 dhe 1.9 pikë për qind. Më shumë se sa përmirësimi i tregut të punës në këto qarqe ka ndikuar tkurrja e popullsisë për shkak të emigracionit të lartë në Dibër dhe plakjes së popullsisë në Gjirokastër.
Me tej normat e papunësisë në tremujorin e tretë shënuan rënie vjetore edhe në qarkun e Tiranës me 1.7pp, Durrësit 1.5pp, Fierit 1.3pp dhe Kukësit me 1.3pp.
Përshtatur nga Informim.Al / Burimi: Monitor.Al dhe INSTAT
COMMENTS