Rotacionet politike, ndryshimet e titullarëve të institucioneve shpesh shoqërohen edhe me ndryshimin e punonjësve. Ata që e paguajnë faturën e të larguarve nga puna në mënyrë të padrejtë janë qytetarët shqiptarë dhe jo përgjegjësit e vërtetë të këtij dëmi financiar jo të paktë.
Ky është një fenomen negativ që vihet re rëndom në shoqërinë shqiptare sa herë që ka zgjedhje. Vetëm për vitin 2018 u shpenzuan nga buxheti i shtetit jo pak por 13.8 milionë dollar, një vlerë kjo shumë e lartë për buxhetin e shtetit, të realizuara këto me anë të 2595 transaksioneve bankare.
Ndërsa për 5 vite janë shpenzuar 102 milionë dollar, një shifër që krijon borxhe të prapambetura sepse kostoja reale e vendimeve gjyqësore është shumë më e madhe.
Kjo vlerë e cituar më lart është dyfishi i ndihmës vjetore që qeveria ka akorduar për të varfërit. Edhe pse në disa raste institucionet kanë vende të lira pune dhe ato nuk marrin punonjësit e larguar më parë por marrin punonjës të rinj të duke e paguar dy herë të njëjtin vend pune, atë që u largua padrejtësisht dhe atë që punon aktualisht.
Tradita e “prishjes dhe rindërtimit” të institucioneve të rëndësishme të shtetit sa herë që ndryshojnë qeveritë, flet për punësimin e militantëve të partive që janë kryesisht ata që numërojnë votat apo mbajnë peshën e mitingjeve dhe fushatave elektorale të partive.
COMMENTS