Rregullorja e ISSH/ Kushtet kur duhet kërkuar ndryshimi i masës së pensionit

Ndryshimi i masës së pensionit mund të bëhet si me kërkesë të pensionistit, po ashtu edhe nga vetë institucionet që merren me llogaritjen e këtyre

Çmimi i karburantit, radikalizohen protestat në Francë…
Shtylla e tensionit dhe shkolla…
Gjykata e Strasburgut dënon Italinë

Image result for PENSIONISTET

Ndryshimi i masës së pensionit mund të bëhet si me kërkesë të pensionistit, po ashtu edhe nga vetë institucionet që merren me llogaritjen e këtyre pagesave. Sipas kushteve të përcaktuara në rregulloren e Institutit të Sigurimeve Shoqërore për caktimin, administrimin dhe pagesën e pensioneve, saktësohet se: Kur pas marrjes së vendimit për caktimin e pensionit, pensionisti paraqet kërkesë me shkrim, së bashku me dokumente të tjera që i japin të drejtë për rritjen e masës së pensionit, Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shoqërore merr vendimin për ndryshimin e pensionit”.

Po sipas rregullores, vendimi për ndryshimin e pensionit merret edhe pa kërkesën e përfituesit, për rastet kur konstatohet se janë bërë gabime në masën e pensionit në një vendim të mëparshëm, si dhe kur bëhen rritje me vendim të Këshillit të Ministrave.

Ekspertët e sigurimeve shoqërore bëjnë me dije se vendimi për ndryshimin e pensionit merr numrin e vendimit fillestar me fraksion,ndërsa si datë shënohet data e kryerjes së veprimit. Ndërsa në lidhje me transferimet e pagesave, saktësohet se nuk mund të transferohet dosja e pensionit nga një drejtori në një tjetër, pa tërhequr të paktën një këst mujor. 

 Rastet kur merret vendim për mbyllje pensioni

Vendim për mbylljen e pensionit nga drejtoria rajonale përkatëse e sigurimeve shoqërore bëhet mbi bazën e dokumenteve që vërtetojnë shkakun e kryerjes së kësaj procedure.

Më konkretisht, mbyllja e pensionit bëhet për rastet kur pensionisti vdes, kur deklarohet pa grup invaliditeti, kur anëtari i familjes plotëson moshën për punë, etj.  në rregullore përcaktohet se për rastet kur pensionisti vdes, certifikata dorëzohet tek inspektori pritës duke bërë kërkesën përkatëse. Në këtë rast të interesuarit dorëzojnë tri kopje të certifikatës së vdekjes.

Ndërkohë që inspektori pritës dhe përgjegjësi i agjencisë kryejnë të gjitha procedurat për dorëzimin e dokumenteve deri sa i dorëzojnë në Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore. Kur një pension i mbyllur rihapet, në regjistrin e pensioneve të mbyllura shënohet shkaku

i hapjes, data dhe numri i regjistrit themeltar të pensionit që ka qenë para se të mbyllet dhe kur

mbyllet përsëri, në regjistrin e pensioneve të mbyllura merr numër të ri.

 Kushtet që çojnë në pezullim të pensionit

Pezullimi i pensionit bëhet në çdo kohë gjatë së cilës është duke u përfituar pensioni dhe konstatohen fakte që cenojnë legjitimitetin e tij.  Duke iu referuar këtij përcaktimi, në rastet kur drejtori i Përgjithshëm i ISSH-së, apo drejtuesit e strukturave rajonale vartëse kanë fakte ose sinjalizime, kanë të drejtë të pezullojnë pensionin mbi bazën e kontrolleve ose rikontrolleve të urdhëruara prej tyre. Tre janë rastet në të cilat mund të kërkohet pezullimi i pensionit:

Kur nga auditimi i dosjes nga rezulton që pensioni është caktuar në kundërshtim me dispozitat ligjore, vendimet, udhëzimet dhe rregulloret në fuqi. Pezullimi bëhet edhe kur dosja kërkohet për shqyrtim në KMCAP-epror, si dhe kur pensioni nuk tërhiqet për një periudhë mbi një vit. Në këtë rast mund të hartohet edhe urdhër-mbyllje e urdhërpagesës duke bërë veprimet përkatëse. Pezullimi i pensionit bëhet për aq kohë sa kërkohet për verifikimin për faktet që kanë dalë deri në nxjerrjen e urdhrit për mbylljen e pensionit ose urdhrit për pagesën e tij. Urdhri i pezullimit të pensionit i dërgohet qendrës paguese nga dega e financës.

Më pas njoftohet personi i interesuar për pezullimin e pensionit. Me marrjen e njoftimit, pensionisti

paraqitet në DRSSH dhe nga inspektori përpunues hartohet procesverbal për shkaqet e

pezullimit. “Me plotësimin e dokumenteve në bazë të procesverbalit, fillon rishqyrtimi i pensionit

sipas procedurave të përcaktuara në këtë rregullore. Inspektori përpunues, përveç llogaritjes së pensionit sipas procedurave më lart, llogarit edhe masën e pensionit, bën diferencat midis masës së përfituar dhe shumës që duhet të kthejë dhe ia paraqet degës së financës për sistemim e kontabilizim të veprimeve kontabël dhe arkëtimin e tyre”, saktësohet në rregulloren e ISSH-së.

 Qendrat e pagesës

Pensionet e pleqërisë, të invaliditetit dhe familjar paguhen në Postën Shqiptare ose në

bankat e nivelit të dytë. Pagesa e pensioneve bëhet sipas dispozitave ligjore në fuqi në fushën e

pagesave dhe sipas rregullave të përcaktuara në marrëveshje të posaçme, të lidhur midis ISSH-së

dhe agjentëve pagues të zgjedhur. Pensionet e pleqërisë, të invaliditetit dhe familjar, me kërkesë të pensionistit, përveç postës, mund të paguhen edhe në bankat e nivelit të dytë me të cilat ISSH-ja ka një marrëveshje. Për rastet kur e drejta për përfitimin e pensionit apo përfitimeve të tjera fillon më vonë se data 1 e muajit, shuma e përfitimeve llogaritet dhe autorizohet për pagesë vetëm për ditët e tjera që mbeten nga data e caktuar deri në fund të muajit. Përshembull, kur e drejta e pensionit fillon më datë 13 të muajit, atëherë pensioni llogaritet dhe paguhet për 18 ditë të muajit të parë, ndërsa për muajt e tjerë pensioni paguhet i plotë.

Për efekt llogaritjeje, shuma e përfitimit mujor pjesëtohet me 30 ditë dhe shumëzohet me numrin e ditëve që duhet të paguhet. Ndërsa në rastet kur pensionisti që vdes nuk ka tërhequr pension mbi një muaj, pensioni i patërhequr u paguhet trashëgimtarëve, sipas dispozitave të Kodit Civil dhe përcaktimeve në marrëveshjen përkatëse. Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shoqërore i evidenton në urdhrin e mbylljes diferencat e pensionit të patërhequr, që i referohet ditëve të muajit kur pensionisti ka vdekur dhe në këtë rast, dokumenti “Urdhërmbylljeje” merr fuqinë e një akti që autorizon pagesën e një përfitimi që duhet t’i paguhet anëtarit të familjes që bashkëjetonte me pensionistin e vdekur.

Në rastet kur pensioni i muajit i është paguar përfituesit përpara datës së vdekjes, diferencat e marra tepër, që u përkasin ditëve deri në fund të muajit quhen pagesa të mirëqena dhe nuk kërkohen. Në raste të tjera, me kërkesën e pensionistit, shuma e pensionit mund t’i dërgohet në shtëpi. Edhe në këtë rast, rregullat financiare të hartimit të listëpagesës dhe të pagesës së shumave janë të njëjta.

Shtesa për shtyrjen e datës së daljes në pension

I siguruari, i cili ka plotësuar kushtet për pension pleqërie, merr shtesë në masën 0,5 për qind të pensionit për çdo muaj që shtyn datën e daljes në pension dhe vazhdon të paguajë kontribute. Përfituesi i pensionit të pleqërisë, që ndërpret pensionin, vazhdon të punojë dhe paguan kontribute, merr shtesë mbi pension në masën 0,5 për qind për çdo muaj ndërprerjeje. Kjo shtesë llogaritet mbi atë masë pensioni që rezulton pas rritjeve dhe indeksimit që ka pësuar pensioni gjatë kohës së ndërprerjes.

Kërkesa

Personi i siguruar ka të drejtë të kërkojë përfitime sa herë që mendon se i plotëson kushtet për përfitimin e tyre.

Sipas ekspertëve të sigurimeve shoqërore, kërkesat, së bashku me dokumentet e përcaktuara në rregulloren e Institutit të Sigurimeve Shoqërore duhet të paraqiten dhe të administrohen në sportelet e shërbimit, në ato bashki ku ndodhet vendbanimi i përhershëm i personit, sipas procedurave të parashikuara në legjislacionin e sigurimeve shoqërore.

Ndërsa kërkesat për përfitimin e papunësisë bëhen në zyrat e punës me procedurë, sipas qendrës së punës ose vendbanimit të personit që plotëson kushtet për këtë lloj pagese.

Përllogaritjet

Përfitimet afatshkurtra për degët e sëmundjes, barrëlindjes dhe aksidenteve në punë për personat e punësuar, do të llogariten nga qendrat e punës, kurse për personat e tjerë ekonomikisht aktivë, nga zyrat lokale të sigurimeve shoqërore.

Përfitimet afatshkurtra për papunësinë caktohen nga zyrat e punësimit. Dokumentacioni, kriteret dhe procedurat e caktimit të tyre janë përcaktuar tashmë me vendim të Këshillit të Ministrave.

Ndërsa pensionet caktohen nga zyrat rajonale të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, brenda ditës së fundit të muajit të ardhshëm nga data e pranimit të kërkesës dhe dokumenteve të plota e të sakta për pension.

Indeksimi

Në ligjin e ndryshuar të sigurimeve shoqërore bëhet e ditur se: Pensioni social, pensionet e pleqërisë, të invaliditetit, familjare, si edhe të ardhurat nga aksidentet në punë dhe sëmundjet profesionale indeksohen çdo vit për të kompensuar pasojat e ndryshimit të çmimeve të mallrave dhe të shërbimeve të zgjedhura për nivelin minimal të jetesës së pensionistëve.

Këshilli i Ministrave cakton listën e mallrave të zgjedhura, mbi të cilën llogaritet indeksi, metodën dhe datën e indeksimit. Pak javë më parë është miratuar edhe indeksimi i pensioneve për vitin 2019, i përcaktuara në masën 2.8 për qind. Ky indeksim shkon për të gjitha llojet e pensioneve të skemës.

Ankimimi

Ankimi kundër vendimeve të përfitimeve bëhet në Komisionin e Ankimit pranë Drejtorive Rajonale të Sigurimeve Shoqërore. Ankimi në këto raste, depozitohet pranë sporteleve të shërbimit sipas procedurave të përcaktuara.

Ndërsa ankimi kundër vendimeve të Komisionit të Ankimit të Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore bëhet në Komisionin e Ankimit pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Institutit të Sigurimeve Shoqërore.

Për ankimet e zgjidhura në mënyrë të pafavorshme procedurat vijojnë më tej në Gjykatë, vendimi i të cilës është përfundimtar. Këshilli Administrativ përcakton përbërjen, numrin dhe procedurën e funksionimit të komisioneve të animimit.

 

 

 

 

COMMENTS

WORDPRESS: 0