Qentë pa maskë, ky “revolver” pa leje që po merr jetë njerëzish

Qentë pa maskë, ky “revolver” pa leje që po merr jetë njerëzish

Ndonjëherë ngjan sikur të drejtat e qenve respektohen më shumë se sa ato të njerëzve, ku një lehje e dhunuar duket se mbrohet më tepër se sa një indiv

Zëmblak, ish pallati i kulturës i shkatërruar: Rrezikohet edhe qendra shëndetësore
E frikshme! Luftë për mbijetesë, familjet shqiptare me 63% më pak të ardhura në muaj
Ja sa shpenzojnë për medikamentet shqiptarët

Ndonjëherë ngjan sikur të drejtat e qenve respektohen më shumë se sa ato të njerëzve, ku një lehje e dhunuar duket se mbrohet më tepër se sa një individ i kafshuar.

Është pozitive t’i duash dhe t’i mbrosh kafshët, madje akoma më impresionuese është të përqafosh iniciativat që garantojnë shëndetin e tyre për t’i shpëtuar skllavërisë së zinxhirit apo kolibes së lagësht.

Por për ta pasur sa më solid këtë raport miqësor, të ngushtë dhe besnik, është vetë njeriu që duhet të rrisë shkallën e kujdesit për qenin e tij.

Përkëdhelja fatkeqësisht nuk mjafton! Madje edhe një vakt i bollshëm nuk e plotëson detyrimin që ka një pronar për të mbrojtur miqësinë me një qen. Katër putroshi nuk lind i keq, por bëhet i tillë nga rrethanat e jashtme të cilat ndikojnë duke nxitur sjellje agresive. Detyrimisht, lëpira e tij shndërrohet në kafshim nëse e neglizhon, e dhunon, e burgos, e torturon dhe nuk i kryen shërbimet e nevojshme.

Në një vend si ky i yni ku institucionet ligj-zbatuese nuk kanë vullnet të lidhin njerëzit e dhunshëm dhe jo më kafshët agresive, minimumi i detyrës sonë qytetare është të ndërmarrim fushata sensibilizuese për të pasur hapësira publike më të sigurta për vete, të afërmit dhe komunitetin ku jetojmë. Nëse organet shtetërore janë ende në gjumë, kjo nuk do të thotë se ne duhet të presim që ato të zgjohen veç nga kafshimi i ndonjë qeni dhe deri atëherë të sodisim fatkeqësitë.

Jo. Emergjenca në terren klith që të pasqyrojmë përpara se të shënohen viktima, ndaj reagimi sot na nxjerr nga praktika e zakonshme që sensibilizimi social nis veç kur dikush mbyll sytë përfundimisht dhe harrohet fluturimthi.

Meqenëse ne nuk kemi ende një “Institut të Qenve” që të përpilojnë raporte të hollësishme mbi sjelljet, socializimin, gjendjen në terren, vaksinimin apo jetës emocionale të tyre, një skuadër modeste e mbështetur nga “Lëviz Albania” dhe dhjetëra qytetarë të shqetësuar, u përpoqën të bëjnë një monitorim për dy vatra rreziku në Tiranë: Parku i liqenit dhe “Rinia”.

Në këto dy hapësira shumë të frekuentuara, ka mjaft nga ata qytetarë që zgjedhin të kalojnë orë të tëra shoqëruar nga katër putroshët e tyre. Në njërën anë kemi të përgjegjshmit që numërohen me gishta dhe në anën tjetër të papërgjegjshmit që i lënë krejtësisht të lirë qentë e tyre. Pa maska, pa qafore dhe zinxhirët e nevojshëm, këto qenie kaq të dashura me gjasa shndërrohen në “armë” rreziku për individët. Sjellja e tyre e pakontrolluar, mund t’i kushtojë abortin një zonje shtatzënë, infraktin një zotërie të moshuar, gangrenën një diabetiku, tmerrin një fëmije, plagosjen një të riu, deri dhe vdekjen e pashmangshme një fatkeqi që bie pre.

Sipas të dhënave statistikore që ofrohen nga shërbimi shëndetësor në QSUT, vetëm gjatë 24 orëve mesatarisht marrin ndihmën e parë mjekësore të paktën 4 qytetarë të sulmuar nga qentë. Pra, gjithnjë sipas këtyre shifrave, katër familje të lënduara, katër familje të tromaksura, katër familje të shqetësuara që çdo ditë ikin përfundimisht nga këto perimetër të gjelbra. Po në një javë, në një muaj në një vit?

Ndoshta ndokush, nga përzemërsia do të nxirrte tezën se “Qentë janë një dashuri e vërtetë dhe nuk duhet t’i izolojmë”. Jam krejtësisht dakord, por le të kuptohemi. Askush nuk po kërkon “dënimin” e kafshëve, por kujdesin dhe përgjegjshmërinë e pronarit që qeni të mos e humbasë besimin te njeriu. Kjo nuk është një kërkesë e tepërt që hedh poshtë tezën, por i shërben përmbushjes së saj sa më denjësisht.

“Dënim” është kur e kyç brenda mureve të apartamentit, nuk e ushqen sistematikisht, s’i kryen kontrollin veterinar, e dhunon me sende të forta, e përdor për përleshje, i pret veshin, i heq bishtin apo e braktis rrugëve pa zot pasi të ka dalë nga qejfi. Kjo neglizhencë e njeriut, referuar studimeve të kryera nga specialistët e rritjes së kafshëve, ndikojnë negativisht te qentë duke i bërë ata t’i përgjigjen me sulm çdo provokimi të jashtëm.

Imagjinoni për një moment se si mund të reflektohet në trurin e një pit bulli, rotvajleri apo bull dogu një terren i vështirë si ky i yni ku “çmenduritë” janë shndërruar në normalitet. Nëse gjenden pa maska, mos u çudisni kur tërbimi i tyre të shfaqet përmes dhëmbëve vdekjeprurës.

Parqet e gjelbëruara janë për fëmijët e buzëqeshur, për balonat që fluturojnë, për të moshuarit që ndajnë kujtime, për të rinjtë që shkëmbejnë një puthje, për kafshët e sigurta, për adoleshentët që nisin një aventurë dhe për çdo qenie që reflekton dashuri.

Kjo vlen edhe për rrugët, rrugicat, sheshet, qendrat, lagjet, banesat dhe çdo perimetër publik që duhet të jetojë i harmonizuar.

Nëse edhe ne bëjmë betejat tona mbi përmbushjen e këtij misioni, atëherë do shmangim ngjarjet fatale dhe pyetjen e kobshme: Po tani kush ka përgjegjësinë, qeni pa maskë, pronari pa tru apo institucionet pa zot?!

Nga Andrea Danglli

 

COMMENTS

WORDPRESS: 0