Pa shtëpi  dhe të harruar. Romët e Shkodrës (prej vitesh) kërkojnë ‘një strehë ku të fusin kokën’

Pa shtëpi dhe të harruar. Romët e Shkodrës (prej vitesh) kërkojnë ‘një strehë ku të fusin kokën’

Nga:Brejdon Xhavara Shkodra është bërë strehë për dhjetra familje rome që kanë ardhur nga të gjitha anët e Shqipërisë. Të vendosura në periferi

Muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit , ja cfarë duhet të dijë çdo grua…
Ligj i ri për nxitjen e punësimit / Përfituesit e tij
Të gjithë drejt pediatrisë, ambulancat nuk punojnë…

Plane nga Programi 31 Min një produksion i RTSH në bashkëpunim me Qendrën Shqiptare për Gazetari Cilësore

Nga:Brejdon Xhavara

Shkodra është bërë strehë për dhjetra familje rome që kanë ardhur nga të gjitha anët e Shqipërisë. Të vendosura në periferinë e qytetit, në bregun e Bunës, kanë ndërtuar çadra dhe baraka në tokë private.

Astriti është baba i 5 fëmijëve të ardhur në jetë në Shkodër. Ai tregon për Informim.al se, në barakë, me 5 fëmijë për të rritur, është e pamundur të jetohet.

Unë bashkë me familjen kemi 5 vite që jetojmë këtu në barake, çdo 2 muaj unë e rregulloj barakën pasi prishet nga kushtet e motit dhe materialet që janë përdorur nuk janë rezistente për të mbajtur në themele, fëmijët e mia po vuajnë tej mase në këtë lloj jete. Përvec këtij problemi, unë kam 2 fëmijë të paregjistruar në gjendjen civile pasi bashkëshortja ime ka një kurorë me një person tjetër dhe duhet të ndahet nga ai që ne ti regjistrojmë, por unë nuk kam mundësi ekonomike ti ndjek këto probleme. Ne vuajmë për çapën e bukës këtu, unë mundohem çdo ditë të mbledh mbetje të riciklueshme që ti shes dhe të blej ushqim për familjen”.  

Prej 15 vitesh rreth 470 banorë romë jetojnë në Shkodër. Problemet e tyre janë të shumta, por strehimi i përshtatshëm është më emergjenti. Institucionet nuk kanë arritur që të krijojnë kushte për strehimin e tyre në mjedise të denja për jetesë.

Çdo vendbanim ka një kosto. Për romët e periferisë së Shkodrës fatura e parë është një qira ditore prej 100 lekësh dhe 300 lekë të vjetra pagesa e energjisë në muaj. Një pikë skrapi, e cila menaxhohet nga pronari i tokës, shërben si ‘ndërmarrja e komunitetit: aty bëhen ato pak para për të paguar qiranë ditore, për të blerë bukë, pak ushqime e ç’të munden. Të ardhurat nga grumbullimi dhe shitja e mbetjeve të riciklueshme nuk janë të mjaftueshme për të jetuar, për të mbijetuar po.

Plane nga Programi 31 Min një produksion i RTSH në bashkëpunim me Qendrën Shqiptare për Gazetari Cilësore

Banorët i thanë gazetarit të Informim.al se nga dorëzimi i mbetjeve në pikën e skrapit përfitojnë nga 700 deri në 1000 lekë në ditë. Të pamjaftueshme sipas tyre për të kompensuar shpenzimet ditore për veten dhe fëmijët, për qera, drita, veshmbathje. Aq më pak mjaftojnë këto të ardhura për ilaçe për të moshuarit apo fëmijët: shumë prej këtyre të fundit janë të prekur nga virozat.

Nuk është vetëm mungesa e të ardhurave që i bën t’u rrinë larg spitaleve, por edhe një mangësi tjetër: një pjesë e tyre nuk ekzistojnë. Ata janë të paregjistruar, pa dokumente dhe rrjedhimisht as nuk marrin dhe as nuk japin me shtetin dhe institucionet e tij, përfshirë spitalet.

Por ka edhe ‘përjashtime’. Mal Molla tregon për Informim.al se, kur i është sëmurur djali e ka çuar në spital dhe ka paguar për vizitën. Edhe pse pa letra?

“Po sepse i kam qarë hallin, më kanë ndihmuar nuk them jo, e kam çuar kësaj radhë që e kam pasur tani dhe desh me prenë ne besë spitali, nuk më hapi kartëlen për ta shtruar, u detyrova ta heq nga spitali dhe prap e kam të sëmurë nga ftohja, nusen e kam me sëmundje toke, të pashërushme, desha me e çu sot prap në spital por nuk kam buxhet”.

Te mungesa e të ardhurave babai rom e gjen shfajësimin edhe për mosregjistrimin e fëmijëve që ia shton telashet në dyert e spitaleve.

Nuk kam të ardhura të shkoj ta regjistroj fëmijën tim si gjithë të tjerët, të marri edukat dhe ai, të bëhet dhe ai qytetar i thjeshtë për vetën e tij, dhe unë si prind që jam ti jap edukatën, mos të marri rrugën e keqe dhe të hajmë një cop buk si gjithë të tjerët”.

Kryehalli i tyre mbetet “shtëpia”. Ekipi i Informim.al shkoi në Bashkinë e Shkodrës për t’u interesuar lidhur me strehimin e tyre dhe një përfaqësues i saj na shpjegoi:

Të gjithë banorët romë janë banorë të ardhur nga qytetet e tjera dhe ky është ndoshta ngërçi më i madh që ne kemi me këta banorë në mënyrë që ata të përfitojnë nga shërbimet që ofron Bashkia e Shkodrës. Megjithatë, në bazë të planit lokal zhvillimor që Bashkia ka hartuar për të ndihmuar këtë komunitet kemi filluar me regjistrimin civil të këtyre banorëve, të cilët kanë kohë të gjatë në Shkodër dhe kanë dëshirë të jenë qytetarë të Shkodrës, duke lehtësuar disi procedurat për të bërë të mundur regjistrimin civil. Për vitin 2017-2018 kemi arritur të regjistrojmë 13 familje të cilave iu janë bërë lehtësi në procedurat që ofron bashkia e Shkodrës. Përsa i përket strehimit të Romëve në Shkodër, në planin lokal zhvillimor është menduar, sigurisht që këto ambiente ku  ata jetojnë janë informale, dhe është e bërë e mundur marrja në pronësi e një toke publike në të cilën mund të ndërtojnë banesa. Ose donatorë të ndryshëm mund të financojnë banesa të lëvizshme për këta banorë. Duke marrë parasysh që shifra për këto familje është e konsiderueshme, ndoshta në një të ardhme shpresojmë të arrijmë të gjejmë donatorë .

 

Ligji i ri për Strehimin Social në një nga nenet përkufizon edhe “Strehat e Përkohshme” si një mundësi e mirë për familjet e varfëra të pastrehë. Në strehime të tilla ata mund të qëndrojnë deri në 2 vjet, si një periudhë tranzicioni, për të kaluar më pas në programe të tjera të strehimit. Që ky nen të bëhet i zbatueshëm duhet miratuar nga Këshilli i Ministrave brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e ligjit. Tashmë ka kaluar më shumë se një vit që ligji ka hyrë në fuqi dhe ende nuk janë bërë të zbatueshme nenet.

Informim.al kontaktoi me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, nëse mund të ishte MFE mbështetëse e projekteve të tilla si “Strehat e Përkohshme”. Në ministri shprehin gatishmëri, por sipas tyre, Bashkia e Shkodrës duhet të sjellë projekt-propozimin për të ndërtuar “Strehat e Përkohshme”.

Me dijeninë e këtij fakti informim.al iu drejtua sërish me një shkresë zyrtare Bashkisë së Shkodrës. Në përgjigje Bashkia thotë se është hartuar një projekt për ndërtimin e banesave sociale të përkohshme për strehimin e banorëve romë, dhe i është dërguar Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë për financim.

Ndërkohë që ‘fati’ i këtyre banorëve ka ngecur në mekanizmin e ngadaltë të institucioneve shtetërore, aktivistët e komunitetit Rom dhe Egjiptian tregojnë për Informim.al se prej një viti janë duke advokuar në qytetin e Shkodrës në lidhje me “Strehat e Përkohshme” si një mundësi e mirë për strehimin e rreth 470 banorëve.

Jeta Pera tregon:

Ne kemi pasur komunikime të vazhdueshme me Bashkinë e Shkodrës për t’i nxitur që sa më parë të hartojnë një projekt-propozim për strehimin e familjve rome, si dhe me Ministrinë e Financave, ku kemi treguar me detaje problematikat e strehimit të romëve në Shkodër dhe sa e nevojshme është që të ndërtohen “Strehat e Përkoshme”. Deri tani nga Ministria e Financave  është komunikuar që projektin e kanë marrë dhe janë duke e vlerësuar nëse do të mbështetet nga Komisioni i Strehimit.

 

Një tjetër informacion i fundit tregon që Ministria e Financave dhe Ekonomisë, përmes Drejtorisë së Strehimit, ka deklaruar që do ta mbështesin programin e “Strehave të Përkoshme” si politikë të re, por duhet të parashikohet në projekt-buxhetin e vitit të ardhshëm 2020-2022.

Edhe pse këta muaj në Bashkinë e Shkodrës të thonë se ka lëvizje dhe ‘zhvillime të mira’, projekti për strehimin i romevë mbetet ende në sirtarët e qeverisë. Nuk dihet se për sa kohë.

Nga:Brejdon Xhavara

COMMENTS

WORDPRESS: 0