“Kur interesat politikë të zhveshin maskën”

“Kur interesat politikë të zhveshin maskën”

Nga t’ja nis?! Do doja të flisja për të gjitha keqpërdorimet politike pre e të cilave ka qenë oficerja e policisë Nuka, për lëndimin e së cilës ndj

​Projektligji i minoriteteve është në Parlament, por mund të rihapet sërish procesi i konsultimit
Qendrat Shëndetësore pushojnë të dielave, radhë në urgjencën e Pediatrisë
Europianët/ Nuk jemi racistë, por…

Nga t’ja nis?!

Do doja të flisja për të gjitha keqpërdorimet politike pre e të cilave ka qenë oficerja e policisë Nuka, për lëndimin e së cilës ndjej shume keqardhje, ashtu siç do ndjeja edhe për një oficer burrë, sepse plaga dhemb njëlloj burrë a grua qofsh. Do doja të flisja edhe se sa më gëzon fakti që ka gjithnjë e më shumë gra në radhët e policisë, ndërkohë që jam e sigurt që ato gra duan të trajtohen njëlloj si kolegët e tyre burra, pa i veshur me petk paprekshmërie dhe dobësie vetëm sepse janë gra (ndaj shpesh i vënë në rresht të parë, sepse me këtë llogjike, s’maten forcat me gratë). Gjithashtu jam e sigurt që gratë police si Ina, nuk duan që lëndimi i tyre në krye të detyrës të bëjë më shumë bujë se lëndimi i kolegëve të tyre burra! Jam e sigurt që gratë police si Ina, nuk duan që çdo politikan i mundshëm ta përgëzojë e përqafojë me ‘dhembshuri’ para kamerave, duke lëshuar fraza të përllogaritura, gjithmonë në funksion të qëllimit politik, për të mbjellë aprovim mes mbështetësve, për të demonizuar ‘ata’ që guxuan të lëndojnë një grua!!! Se gratë nuk preken, paçka se brenda mureve të shtëpive gratë masakrohen në këtë vend! Por dua të flas për atë që ndodhi dje, ndaj po e lë me kaq parantezën! Dua të flas për ato çka tha dje Kryetari i Bashkisë së Tiranës, nga karrikja më e privilegjuar e kryeqytetit, mes burrave e grave që mbrojnë interesat e qytetarëve të Tiranës, para kamerave! Besoj të gjithë e keni dëgjuar por po e shkruaj, sepse kështu e bardhë mbi të zezë është edhe më shastisëse: “Pse nuk është gjynah ajo vajza pa gishta, se të gjithë burra jemi. I shkojnë sytë këtu, të martohet ndonjëri me një gocë pa gishta?! Pra, nuk i prishëm vetëm atë (dorën me demek), por i kemi shkatërru jetën” Z. Veliaj i lëshon këto ‘perla’ me sportivitet dialektik tironsi, në shumës, sepse presupozon se të gjithë burrat aty të pranishëm e mendojnë si ai. Nuk dimë nëse ka pasur ndonjë frymë njeriu në atë sallë që ka reaguar kur kryebashkiaku ka thënë këto fjalë! Uroj shumë që po!! Kjo frazë, thënë në gjuhë popullorçe e babaxhançe thotë shumë për individin që drejton qytetin më të madh të vendit, personin që merr vendime për të gjithë qytetarët e qytetaret e tij! Mbi të gjitha na thotë që ai vë interesat politikë mbi çdo gjë tjetër, ai lejon që politika ta ‘zhveshë’ maskën e tij prej përparimtari! Kush e vret mendjen që mendësi prapanike si këto përforcojnë qëndrimet diskriminuese që ne si shoqëri kemi ndaj grave dhe personave me nevoja të veçanta! Kush e vret mendjen për plagët sociale që prek ky prononcim skandaloz! Si një bashkëmoshatare e kryebashkiakut, kur e dëgjova këtë frazë, përveç habisë fillestare, ndjeva zemërim dhe revoltë, ashtu si shumë prej jush shpresoj! Sepse kjo s’ka vend ku të rrijë! Sepse është diskriminuese, seksiste, thellësisht poshtëruese për çdo vajzë e grua, edhe më shumë për këdo që ka nevoja të veçanta fizike! Nje mesazh si ky i kryebashkiakut, vjen në një kohë kur po përpiqemi pa pushim të zhdukim stereotipet gjinore që shtypin vajzat shqiptare që në djep, t’u mësojmë vajzave që ato janë njëlloj të zonja si djemtë dhe që s’kanë nevojë për princër që t’i shpëtojnë sepse mund t’ja dalin vetë, t’u mësojmë fëmijëve që bukuria dhe forca e vërtetë është brenda nesh dhe jo në mënyrën sesi dukemi apo jemi të ndërtuar fizikisht, se jemi të gjithë ndryshe e ndoshta dhe me nevoja të veçanta, por ama jemi unikë dhe mund t’ja dalim të bëhemi më e mira e vetes, t’u mësojmë që kur dashuron dikë, pikë së pari i dashuron shpirtin, zemrën, mendjen! Në vend të shërbejë si një model i qytetarit mendjehapur, progresist, sfidues tabush seksiste e diskriminuese, kryebashkiaku na tregoi se nuk mbart asnjë nga këto veti! Akoma më keq nëse i mbart por zgjedh t’i hedhë poshtë për interesa politikë, vetëm e vetëm për të siguruar mbështetje që mban erë testosteron!!! Ndaj në emër të të gjithë vajzave e grave dhe atyre që çdo ditë jetojnë e shijojnë jetën pavarësisht pengesave fizike, kërkoj që Z.Veliaj t’i kërkojë ndjesë publike Ina Nukës dhe të gjithë ne qytetarëve e qytetareve që e gjejmë qëndrimin e tij të papranueshëm, arkaik e diskriminues!

Irena Shtraza, Aktiviste e të drejtave të vajzave e grave

COMMENTS

WORDPRESS: 0