Këshilli Ministrave vendos/ TVSH për bizneset e vogla.

Këshilli Ministrave vendos/ TVSH për bizneset e vogla.

Monitor.alPavarësisht rekomandimit të FMN-së dhe paralajmërimit të ekspertëve, qeveria shqiptare ka vendosur uljen e kufirit të TVSH-së nga 5 milion

Edhe pse me vendim të Këshillit Bashkiak ekzistojnë gjoba për hapësirat e rrjetit rrugor
Minimumi jetik si lëkura e Shagrenit!
Akoma do të rriten çmimet në Shqipëri??

Monitor.alPavarësisht rekomandimit të FMN-së dhe paralajmërimit të ekspertëve, qeveria shqiptare ka vendosur uljen e kufirit të TVSH-së nga 5 milionë lekë në 2 milionë lekë, me përjashtim të hoteleve dhe prodhuesve bujqësorë.

Në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave është vendosur: “Në zbatim të nenit 117, të ligjit, kufiri minimal i regjistrimit për tatimin mbi vlerën e shtuar është qarkullimi prej 2 000 000 (dy milionë) lekësh në një vit kalendarik, përveç rasteve të përcaktuara në pikat 2 dhe 3, të këtij neni.”.

Neni dy parashikon që “Në pikën 2, fjalët “… si dhe kryejnë veprimtari ekonomike në fushën e hotelerisë… ”, hiqen”.

Nëni tre parashikon që “Kufiri minimal i regjistrimit për tatimin mbi vlerën e shtuar, për prodhuesit bujqësorë që i nënshtrohen regjimit të veçantë, skema e kompensimit të prodhuesve bujqësorë, është qarkullimi prej 5 000 000  (pesë milionë) lekësh në një vit kalendarik.”.

Ndonëse ministri i financave Ahmetaj kishte deklaruar se në skemën e TVSH-së do të futeshin vetëm 9 mijë biznese dhe disa kategori si psh berberët, ambulantët do të përjashtoheshin, në ligj përjashtimet janë vetëm për prodhuesit bujqësorë dhe shërbimin e turizmit.

Vlerësohet se janë mbi 60 mijë biznese që sot operojnë pa TVSH.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”, me përjashtim të pikës 1, të nenit 2, të këtij vendimi, e cila hyn në fuqi në datën 1 prill 2018.

FMN dhe ekspertët kundër

Fondi Monetar Ndërkombëtare ishte shprehur fuqimisht kundër uljes së kufirit të TVSH-së për bizneset e vogla. “Pas vlerësimeve të shumta nga ekspertët tanë të taksave, ne e kemi këshilluar qeverinë fuqimisht kundër uljes së kufirit të TVSH-së nga niveli aktual. Ndërmarrjet e vogla përbëjnë gjysmën e të gjithë bizneseve, por sjellin vetëm 2% të transaksioneve të taksueshme. Zgjerimi i sistemit të TVSH-së do të jetë një barrë shumë e rëndë për burimet e departamentit të taksave. Informaliteti dhe evazioni i taksave mund të rritet dhe eficenca e administratës së taksave ka të ngjarë të bjerë. Sipërmarrjet e vogla do të mund të përballen gjithashtu me një barrë të shtuar të kërkesave për raportime. Ne e kemi këshilluar gjithashtu qeverinë që të thjeshtojë sistemin e taksave, përfshirë heqjen e përjashtimeve dhe unifikimin e kufirit (p.sh., ai i zbatuar për TVSH-në, tatimin e korporatave dhe tatimin mbi të ardhurat personale). “, ka pohuar Përfaqësuesi i Përhershëm i FMN-së, në Shqipëri, Jens Reinke.

Arben Malaj, ish ministër i financave, ka pohuar se ndonëse kjo praktikë po bëhet, sipas argumenteve të qeverisë për të luftuar informalitetin, praktika ka treguar që kur i fut të gjitha bizneset njëherësh në një skemë, kjo të çon në rritjen e informalitetit.

Ndërsa Dhoma Amerikane ka shprehur shqetësimin që kufiri I TVSH-së iu la në dorë të vendoset Këshillit të Ministrave çka është një shkelje e Kushtetutës. {Nga leximi i projektligjeve të propozuara si pjesë e Paketës Fiskale 2018, anëtarët e Dhomës janë të mendimit që këto projektligje përcaktojnë vetëm disa parashikime të përgjithshme dhe lënë një hapësirë të madhe për plotësim nga ana e Këshillit të Ministrave. Sipas nenit 155 të Kushtetutës së Shqipërisë “Taksat, tatimet dhe detyrimet financiare kombëtare e vendore, lehtësimi ose përjashtimi prej tyre i kategorive të caktuara të paguesve, si dhe mënyra e mbledhjes së tyre, caktohen me ligj”}, ka pohuar Dhoma në komentet për paketën fiskale.

Kryetari i Shoqatës së Biznesit të Vogël, Albert Nasta ka pohuar se  vendosja e TVSh-së për biznesin e vogël nuk është e pranueshme nga ana e tyre dhe se po lobojnë fuqishëm si shoqatë që të mos aplikohet shtrirja e pragut të TVSH-së, si dhe do ta çojnë rastin në kushtetuese me mbështetjen e deputetëve.

 Si do zbatohet TVSH-ja 6% për furnizimin
Vendimi i Këshillit të Ministrave ka sqaruar edhe Kushtet, kriteret dhe procedurat për zbatimin e shkallës së reduktuar për furnizimin e shërbimit të akomodimit në strukturat akomoduese
. Në zbatim të pikës 3, të nenit 49, të ligjit, shkalla e reduktuar e tatimit mbi vlerën e shtuar, e cila aplikohet për furnizimin e shërbimit të akomodimit në strukturat akomoduese, sipas kategorive të përcaktuara në legjislacionin e fushës së turizmit, është 6 për qind.
Për qëllime të zbatimit të shkallës së reduktuar të TVSH-së, me termin “furnizim i shërbimit të akomodimit” nënkuptohet furnizimi i shërbimit të fjetjes në strukturat akomoduese, sipas legjislacionit për turizmin, pa përfshirë furnizimin e ushqimit apo çdo furnizim tjetër, të ofruar nga këto struktura. Përjashtimisht, “furnizimi i shërbimit të akomodimit” nënkupton, përveç shërbimit të fjetjes, edhe furnizimin e ushqimit (mëngjesit), në rastet kur struktura akomoduese e ofron mëngjesin brenda çmimit të furnizimit të shërbimit të fjetjes.
Personi i tatueshëm, i cili ushtron veprimtari në fushën e akomodimit në strukturat akomoduese, sipas përcaktimit në legjislacionin e fushës për turizmin, evidenton veçmas në faturë furnizimin e shërbimit të akomodimit, për të cilin aplikon shkallën e reduktuar të TVSH-së, në masën 6 për qind. Për çdo furnizim tjetër të tatueshëm, të ofruar në strukturat akomoduese, personi i tatueshëm aplikon shkallën standarde të TVSH-së, 20 për qind, sipas përcaktimeve në ligjin për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë.
Personat e tatueshëm, që aplikojnë shkallën e reduktuar të TVSH-së sipas këtij neni, janë personat që ushtrojnë vetëm veprimtari ekonomike në fushën e strukturave akomoduese, sipas legjislacionit të fushës për turizmin. Nëse personi i tatueshëm ushtron edhe veprimtari të tjera, përveç asaj në fushën e strukturave akomoduese, atëherë duhet të jetë i regjistruar si person i tatueshëm më vete, për qëllime të veprimtarisë në fushën e strukturave akomoduese.
Aplikimi i shkallës së reduktuar të TVSH-së nuk kufizon të drejtën e zbritjes së TVSH-së. Zbritja e TVSH-së lind dhe ushtrohet në përputhje me përcaktimet e ligjit për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë.

COMMENTS

WORDPRESS: 0