Jamal Khashoggi, vrasja që tronditi një aleancë

Jamal Khashoggi, vrasja që tronditi një aleancë

Disa e pagëzuan “Revolucioni saudit”. Princi i Kurorës, Mohamed bin Salman u shfaq papritmas si fytyra e të resë në monarkinë e traditave të ngurta. G

Udhëzimi i ri: Taksat për automjetet e reja dhe të përdorura, ja llogaritja
“Metalurgjiku”, Elbasani shpall emergjencen mjedisore
Diskriminimi dhe margjinalizimi që pengojë Romët pa shtetësi në Shqipëri.

Disa e pagëzuan “Revolucioni saudit”. Princi i Kurorës, Mohamed bin Salman u shfaq papritmas si fytyra e të resë në monarkinë e traditave të ngurta. Guximi i tij për reforma ushqeu shpresën se ky njeri, me ide me përparimtare sesa paraardhësit, mund të transformonte jo vetëm vendin e vet, por të gjithë botën arabe.

Deri përpara pak kohësh, ishte e pamundur qoftë edhe thjeshtë të çohej nëpër mend që në Arabinë Saudite femrat do të uleshin në timon. Konsiderohej imoralitet i madh. Disa madje e shihnin si të pamundur për një arsye gati irreale: mendonin se femrat kanë vetëm gjysmë truri. Të tjerë këmbëngulnin se qëndrimi në atë mënyrë në makinë do t`i dëmtonte pjellorinë. Megjithatë, nga 24 qershori, hapi i madh drejt emancipimit u hodh.

Majdoleen Al Ateeq, banorë e Rijadit, thotë: “Unë kam studiuar në Shtetet e Bashkuara, në Kaliforni; i kam dhënë atje makinës për 4 vjet; ky është automjeti për të cilin po flas. Falenderoj zotin që pata mundësinë ta sjell këtu e ta përdor vete; jam e lumtur që ia arritëm kësaj dite”.

Ky lëshim ishte në fakt ai më i bujshmi, që u shndërrua në fytyrën e një revolucioni në dukje të pagjasë; sepse pati edhe hapa të tjerë domethënës: në mbretërinë e kamur u hapen edhe kinematë e u lejua muzika ne publik. Nismëtari i valës se ndryshimeve ishte Mohamed bin salman dhe ambicia e tij për ta spostuar ekonominë nga nafta.

Perëndimi i priti i kënaqur të tilla zhvillime. Arabinë Saudite, ai nuk e ka shume për zemër; ekzekutimet e tmerrshme ne publik, ashpërsia me të cilën trajtohen gratë dhe vehabizmi që ka frymëzuar disa prej ideologjike më të frikshme, janë arsye të mjaftueshme për ta shmangur sa më shumë që të jetë e mundur.

Pavarësisht pasurisë së kësaj mbretërie, biznesmenët do të preferonin më mirë të punonin në Dubain mjaft më të çlirët sesa në Rijad. Edhe vetë arabët i përqeshin sauditët si pasanikë, dembelë e arrogantë.

Por, Arabia Saudite mbetet prodhuesi kryesor i naftës në botë dhe interesat janë tepër të mëdha për të bërë sikur ajo thjesht nuk është aty. Përpos kësaj, është shtëpi e dy prej vendeve më të shenjtë të Islamit; fati e ka kthyer në zemrak të botës arabe e për këtë arsye, nisma e reformave u pa si hap shpresëdhënës jo vetëm për një transformim të mbretërisë së gjirit, por edhe për pasojat qe mund të kishte ajo në rajon, si në drejtim të sigurisë, ashtu për shanset e një rivitalizimi ekonomik të tij.

Shtypi ndërkombëtar nisi ta favorizonte ndjeshëm princin 33-vjeçar, që përmes manovrash të kujdesshme arriti të nxjerrë jashtë loje rivalët duke u kthyer tre vjet më parë në udhëheqësin “de facto” të vendit konservator. Marsin e këtij vitit, ai ndërmori një tur tre javor në Shtetet e Bashkuara për promovimin e përpjekjeve të veta mbi hapjen e ekonomisë saudite në kuadrin e nismës së tij, të pagëzuar si “Vizioni 2030”. Dhe drita e prozhektorëve nuk i mungoi: shtypi amerikan i kushtoi mjaft vëmendje, me hapësirën televizive tek emisioni i famshëm i CBS “60 minuta”, faqen e parë të revistës “The Time” apo ftesën tek Bloomberg. Ai u kthye në shëmbëlltyrën e përpjekjeve kundër korrupsionit dhe te vullnetit për të ndryshuar perceptimin ndaj vendit që drejton. Vete Donald Trump tha se marrëdhëniet dypalëshe qenë në ato moment ndoshta, më të forta se kurrë.

“3 miliardë dollarë, 533 milionë dollarë, 525 milionë dollarë; Arabia saudite është një komb shumë i pasur e do t`i japë edhe shteteve te bashkuara një pjesë të asaj pasurie, të paktën kështu shpresojmë”, deklaroi Trump.

Po të mos ishte për rastin Khashoggi, mbase bota perëndimore do të vazhdonte të fokusohej tek pikëpamjet përparimtare të sundimtarit te ri saudit, duke lënë në harresë anën e tij të errët: burgosjen e kritikeve dhe te aktivisteve, luftën e Jemenit me mijëra civilë të vdekur dhe krizën e tij të tmerrshme të urisë, mbajtjen peng për disa javë në Rijad të kryeministrit libanez Saad Hariri, apo dhe faktin, jo fort të përmendur në media, të shtimit të ndjeshëm të numrit të ekzekutimeve që pas ngjitjes së tij në pushtet.

Me pëlqimin e princit do të bëhej dhe izolimi i plotë i Katarit: 5 qershorin e vitit 2017, katër vende ndërprenë marrëdhëniet diplomatike me fqinjin e tyre të gjirit e i vendosën edhe një bllokadë tregtare, por Arabia Saudite shkoi edhe më tej: ajo mbylli kufirin e vet tokësor, duke e shndërruar shtetin fqinj praktikisht në një ishull ku mund të mbërrihet vetëm në rrugë ajrore apo detare. Të gjitha këto, i shpëtuan syrit ose me sakte, dëshirës se politikaneve për ti parë, por jo ndërgjegjes popullore.

Mattheë Hoh, ish-zyrtar i Departamentit te Shtetit, shprehet: “Mesazhi që dërgon kjo ngjarje për gazetaret është: jeni vetëm atje jashtë. Nëse duam, ju mbrojmë, nëse jo, e keni armën në kokë dhe ne nuk na intereson”.

2 tetorin e këtij viti, gazetari dhe kritiku i ashpër i regjimit, Xhamal Kashogi hyri në konsullatën e Arabisë Saudite në Stamboll për te marre dokumentet që vërtetonin divorcin e tij nga ish-gruaja e parë. Në këtë mënyrë, 59-vjeçari mund të lidhte kurorë me të fejuarën e vet turke. Në media u tha se telefonin ia la asaj jashtë. Ishte i shqetësuar, por padyshim nuk e ka menduar kurrë se gjerat do të mbërrinin deri tek ekzekutimi.

Pas 18 ditësh mohimi, Arabia Saudite më në fund u detyrua ta pranonte se gazetari ishte vrarë. Por, sërish u përpoq të gjente një justifikim duke e shitur episodin si “një incident fatkeq”. Gazetari, sipas zyrtareve sauditë, vdiq aksidentalisht ndërsa rrihej me grushta me zyrtarët saudite brenda konsullatës. Por, i kapur një herë në gënjeshtër, Rijadi e kishte shumë të vështirë të bindte me këtë variant të tij të ngjarjes. Në fund, u detyrua të tregonte të vërtetën.

Shalaan al-Shalaan, zv/prokuror i përgjithshëm, sqaroi: “E zbuluam metodën e vrasjes: ka pasur një sherr, një përleshje; me pas e kanë lidhur dhe i kanë injektuar një dozë vdekjeprurëse të një substance mpirëse. Kjo i ka shkaktuar vdekjen, që u prehtë në paqe aty ku është. E zbuluam identitetin e autoreve, janë 5 persona të cilët e kanë pranuar krimin dhe dëshmitë e tyre përputhen. Trupi i viktimës është copëtuar aty në vend, e më pas është transportuar jashtë ndërtesës së konsullatës”.

Ishte Turqia ajo që këmbënguli fort që në fillim të zhdukjes së Kashogit se ai që vrarë sapo kish vënë këmbë në misionin diplomatik saudit, ku e priste një ekip agjentësh të dërguar apostafat për këtë çështje. Pretendimet turke tingëlluan për disa si të ekzagjeruara. Sauditet këmbëngulnin se 59-vjeçari kishte dalë nga ndërtesa dhe ishte fjala e tyre kundër asaj të Ankarasë. Turqit duhet të jepnin prova për këmbënguljen e tyre të fortë. Pikërisht atëherë doli në skenë ekzistenca e një regjistrimi, siç u tha, nga ora e dorës së vetë të ndjerit.

Por, ndërkohë, ka dhe diçka tjetër që lakohet në shtypin ndërkombëtar, e që autoritetet turke nuk e pohojnë me gojën e vet: punonjësit e inteligjencës turke besohet të kenë vendosur prej kohësh përgjues brenda zyrës së konsullit të përgjithshëm saudit, pikërisht vendi ku u organizua faza e parë e “pritës”. Rexhep Taip Erdogan i mëshoi me forcë ekzistencës së regjistrimit, ndonëse ai nuk u bë kurrë publik. Presidenti turk sqaroi se njerëzit e tij e kanë dorëzuar atje ku duhet: “Ia dorëzuam regjistrimin në dorë; ia dhamë Arabisë Saudite, ia dhamë Shteteve te Bashkuara, gjermanëve, francezëve, britanikëve. Ata e kanë dëgjuar bisedën që ka ndodhur, e dinë mirë”.

Dhe, ndërsa sauditët përpëliteshin të tregonin një herë se vdekja ishte aksidentale, e pastaj se agjentët vepruan me kokën e tyre, përmes një shkrimi të botuar nga “Washington Post”, Erdogani drejtoi gishtin nga qeveria në Rijad. “Ne e dimë se urdhri për vrasjen e Khashoggit erdhi nga nivelet më të larta të qeverisë saudite”.

Në deklaratat e tij për këtë çështje, kreu i shtetit turk i kurseu nga akuzat mbretin Salman, duke lënë të kuptohej gjithmonë e më shumë se faji rëndon mbi më të preferuarin e djemve të tij, princin me më shumë influencë të kurorës, që pavarësisht të gjithave, vazhdonte të bënte të paditurin e madje ta cilësonte vrasjen “një krim të shëmtuar”, duke insistuar që përgjegjësit të dalin para drejtësisë: “Po ndërmerren të gjithë hapat e neovjshme ligjore për finalizimin e hetimit dhe për bashkëpunimin me qeverinë turke me qëllimin që personat përgjegjës të dalin përpara gjykatës. Po flasim për një krim të urryer, i cili nuk mund të justifikohet”.

Dhe masa u morën. Kreu i organit saudit të akuzës përmendi kërkesën e ndëshkimit maksimal për 5 personat e akuzuar për vrasjen. Problemi është nëse ekzekutimin e tyre, do të zhdukeshin 5 dëshmitarë të asaj çfarë ndodhi realisht. Bindja e përgjithshme është se një gjë e tillë, nuk mund të ndodhte pa dijeninë e princit. Por, ndërsa zyrtarët e pëshpërisnin dhe ekspertët e hidhnin si dyshim, pozitat e princit nuk kishin marrë asnjë goditje knock out-i, deri në daljen e raportit te CIA-s: “Përfundimi i CIA-s së vrasja e Jamal Khashoggi u urdhërua nga Princi i Kurorës Mohammed bin Salman është përshkruar si goditja më e dëmshme e bërë deri më sot liderit de facto të Arabisë Saudite, duke e vendosur zyrtarisht atë në zemër të një skandali që vazhdon të shkundë rajonin”.

Zbulimi, i raportuar më së pari nga “Washington Post” për te cilin Kashogi punonte, përben praktikisht vlerësimin e parë të qeverisë amerikane që e lidh princin Mohamed me vdekjen e disidentit në Turqi. Dhe erdhi saktësisht pasi Donald Trump dhe këshilltari i tij i sigurisë kombëtare, John Bolton, ishin përpjekur ta mbronin nga hetimet penale që e kane çuar listën e të inkriminuarve në 21.

The Guardian shkruan: “Presidenti amerikan më parë kishte lënë të kuptohej se vrasja në konsullatë u krye prej një grupi agjentësh që kapërcyen autoritetin e tyre. Por, raporti i CIA-s, që hedh dritë mbi peshën e princit Mohammed në vendimmarrje, e bën mjaft të pagjasë një pretendim të tillë”.

Çfarë zbuloi CIA? Nga sa raportoi “Washington Post”, agjencia e përforcoi bindjen e saj pas rishkimit të dy thirrjeve të përgjuara. Njëra thuhet të jetë ajo mes princit Mohammed dhe të vëllait, Khalid bin Salman, ambasadori saudit në Uashington; diskutimi mes të dyve fokusohej tek gjetja e një mënyrë për ta detyruar Kashogin të kthehej në Rijad.

Telefonata e dytë, gjithmonë nga sa pohon prestigjozja amerikane, e tregon princin Khalid duke tentuar të bindte Khashoggin se nëse do të vizitonte konsullatën në Stamboll, sigurinë do ta kishte plotësisht të garantuar.

Atëherë, ky te ishte vallë karremi? Kjo e bindi gazetarin të hynte në 2 tetor në një godinë nga e cila nuk doli më? Hetimi turk tregon se ai u vra dhe u copëtua brenda 7 minutash. Trupi nuk është gjetur ende.

Por, ka dhe diçka tjetër që e shtyu CIA-n të dilte me një raport polemizues në një kohë kur vetë administrata amerikane nuk e kishte përvijuar ende qartë qëndrimin e saj. Pasi Khashogi kishte vdekur, një pjesëtar i ekipit ekzekutues raportohet të këtë marrë në telefon një ndihmës të princit Mohammed për t’i përcjellë këtë mesazh: “Thuaji bosit tënd se ajo gjëja u krye”. Zyrtarë të inteligjencës perëndimore këmbëngulin se është shumë e pazakontë për një agjenci të këtij niveli të jetë kaq e prerë për çështje të tilla delikate. Lëvizja e saj tregon se ka prova solide në dorë, ndryshë nuk do të rrezikonte.

Po kjo ngjarje nuk mbeti në kornizat e një thrilleri mediatik: ajo mori përmasa të cilat sauditet, padyshim, nuk i kishin parashikuar, duke vënë përballë një sprovë të vështirë vetë marrëdhënien e monarkisë konservatore me Shtetet e Bashkuara.

Jamie Fly, drejtor i “Future of Geopolitics” në “German Marshall Fund”, shprehet: “Administrata amerikane i dha shumë kredi lidershipit të ri në Arabinë Saudite dhe Princit të Kurorës, Bin Salman. Ajo i mbështeti reformat e tij, i lejoi të kishte hapësirë më të madhe bashkëpunimi në rajon, e toleroi më shumë nga ç`kanë bërë liderët e tjerë amerikanë në të shkuarën me paraadhësit e tij dhe tani po paguan pasojat, jo vetëm për këtë vrasje, por edhe për rrëmbimin e përkohshëm të kryeministrit libanez dhe për luftën shkatërrimtare në Jemen”.

Në fund të fundit, shenjat se princi nuk është tamam ai qe kërkon të hiqet, duket kanë qenë gjithmonë aty: “Nuk mund t`i lesh femrat t’i japin makinës dhe të pretendosh se po liberalizon vendin, ndërsa nga ana tjetër burgos aktiviste gra e vret gazetarë nëpër konsullata. Sfida e vërtetë që duhet të marrë zgjidhje është trajektorja e ardhme e këtij vendi, do të ndryshojë apo do të vazhdojë rrugën që në fund, nuk mund përveçse të çojë drejt një krisjeje të madhe jo vetëm me Shtetet e Bashkuara, por edhe me fuqi të tjera të rëndësishme, sidomos në Europë”.

Për dekada të tëra, marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Arabisë Saudite janë përmbledhur në një fjali të vetme: qasja e amerikanëve tek nafta dhe garancia se Uashingtoni do t`i mbrojë sauditët nga armiqtë, sidomos nga kryerivali: Irani. Një aleancë e farkëtuar me shumë kujdes rreth interesave të përbashkëta, aq e madhe sa as një skandal i këtyre përmasave si vrasja e Kashogit ndoshta nuk e zhbën dot, sidomos me miliardat saudite që nuk reshtin së vërshuari në ekonominë amerikane përmes blerjes së armëve dhe investimeve.

Nga Irida Vasia

COMMENTS

WORDPRESS: 0