Bysheku, pika turistike e famshme pranë Elbasanit braktiset nga turistët, ja arsyeja

Bysheku, pika turistike e famshme pranë Elbasanit braktiset nga turistët, ja arsyeja

Pothuajse të gjitha pikat turistike të Elbasanit nuk kanë pasur fluksin e pritshëm të vizitorëve sivjet edhe pse pritshmëritë ishin jashtëzakonisht të

“Me aftësi të kufizuar, por jo i paaftë për të punuar”
Pianisti i pëllumbave; I moshuari që jeton mes muzikës dhe shpendëve
Fëmija autik nuk është rrezik, por unik

Pothuajse të gjitha pikat turistike të Elbasanit nuk kanë pasur fluksin e pritshëm të vizitorëve sivjet edhe pse pritshmëritë ishin jashtëzakonisht të mëdha. Ndërkohë që në pikën më të afërt turistike me qytetin e Elbasanit në Byshek situata thuajse ishte katastrofike në të gjitha aspektet. Dikur kjo pikë turistike ishte e mbipopulluar nga turistët vendas dhe ata të huaj, por tani kjo duket që i përket së kaluarës.

Mjerisht vitet e fundit, kjo traditë është zbehur edhe më shumë dhe banorët e zonës ndihen të trishtuar që Bysheku është tradhtuar edhe nga vizitorët e tij të zakonshëm. Kjo lidhet me degradimin gradual të Byshekut dhe mungesën e vëmendjes së institucioneve shtetërore për atë pjesë për të cilën ato kanë edhe përgjegjësi. Për ata që kanë kohë pa shkuar në Byshek është e pabesueshme kur u shfaqet para syve një imazh i shëmtuar i asaj mrekullie që kanë parë vite të shkuara dhe kjo ka sjellë edhe braktisjen masive të Byshekut nga turistët. I quajtur ndryshe si “Driloni” i Elbasanit tashmë Byshekun asgjë nuk e lidh me identitetin e tij dhe jo më me Drilonin e famshëm.

Kudo në hapësirën ku shtrihet kjo pikë turistike gjen mbeturina e pirgje me plehra që kundërmojnë erë të rëndë.
Edhe sipërfaqja e basenit ujor dhe burimet pranë tij janë mbushur me plehra dhe kjo ta bën të pamundur të qëndrosh aty qoftë edhe për disa minuta dhe jo më të relaksohesh e të drekosh nën hijen e rrapeve shumë shekullor disa prej të cilëve tashme mezi mbahen në këmbë pasi disave prej tyre ju kanë vënë zjarrin duke u djegur trungun. Tashmë atyre ju ka mbetur vetem zgavra gjigande ku pozojnë fëmijë e të rritur. Banorët e fshatrave të Njësisë Adminstrative Shushicë ku bën pjesë Bysheku shprehen të revoltuar dhe mjaft kritikë ndaj të gjitha qeverive të dekadave të fundit të cilat nuk kanë bërë as minimumin e minimumit të mundshmëm per nxitjen e zhvillimit të turizmit në ketë zone.

Duket e pabesueshme mbizotërimi i një situate të tillë edhe gjate sezonit turistik të këtij viti pasi në fakt qeveria Rama gjithnjë e më shpesh është deklaruar në mbeshtetje te zhvillimit të turizmit .

Gjithsesi Bysheku me rrepet shekullore është një nga pikat historike e turistike më të bukura të Elbasanit. Ai është një nga vendet më të preferuara tradicionalisht nga elbasanasit të cilëve ju dhemb shpirti kur e shohin në këtë gjendje pikën turistike më të afërt me qytetin ku dikur vendasit gjatë fundjavës shkonin edhe në këmbë. Bysheku ndodhet në jug të qytetit, në luginën e Shkumbinit në të majtë të rrjedhës së tij. Është një pikë turistike me burime të shumta ujore, ku veçohet një burim karstik, me prurje 70 litra në sekondë që del rrëzë një shkëmbi gjigant. Kjo pikë ndodhet në fshatin Shushicë të Njësisë Administrative me të njëjtin emër dhe ndodhet rreth 9 km larg qytetit të Elbasanit. Vendasit e quajnë veten me fat që natyra u ka dhuruar një pasuri kaq të çmuar natyrore. Nëse do të shkosh në Byshek nga qyteti i Elbasanit nuk të duhet shumë kohë pasi rruga që e lidh Byshekun me qytetin e Elbasanit më se fundi është rikonstruktuar, por as kjo nuk po e nxit lëvizjen e njerëzve drejt pikës turistike të Byshekut.

Elbasani historikisht është shquar për potencialin e madh turistik të tij, falë pozitës gjeografike të favorshme, larmisë së mikroklimës, pasurive të shumta ujore, larmisë së formave të relievit, të shoqëruara me një botë të pasur bimore e shtazore.

Në zonën e Elbasanit fatmirësisht ka shumë pika karakteristike tradicionale si destinacione turistike sikurse janë Rrapi i Mansit, Kroi i Kalit, Ulliri i Qejfit, Burimi i Bankës, Gurra e Labinotit, Tuneli i Mirakës etj. Por mbi të gjitha veçohen për turizmin liqenet e Dumresë, Llixhat e Elbasanit, Gjinari e Bysheku. Si kudo turizmi edhe në zonën e Elbasanit përbën një sektor të rëndësishëm jo vetëm për vlerën ekonomike, por edhe për atë kulturore e historike. Bysheku meriton vëmendjen e gjithkujt si të privatit edhe të shtetit. Bysheku me madhështinë e tij meriton të kthehet në një destinacion të rëndësishëm për turizmin për një mijë e një arsye por edhe për faktin që është një park i rrallë me monumente natyrore.

Shushica e Elbasanit ku bën pjesë edhe Bysheku është pjesë e programit “100 fshatrat” për shkak të potencialit të jashtëzakonshëm turistik që ka dhe kjo mban gjallë shpresat e të gjithëve që në një të ardhme të afërt Byshekut do t’i rikthehet shkëlqimi. Konfliktet e pronësisë për këtë pikë turistike dhe mohimi nëpërmjet manipulimit i të drejtës së kërkuar nga pronarët reale të saj thuhet se është një nga arsyet kryesore që ka mbetur peng zhvillimin e kësaj pike të njohur turistike ku dikur u ngrit edhe godina e një hoteli luksoz me restorante, bar -kafe e mjaft dhoma fjetjeje të standardeve bashkëkohore që sot i ka mbetur në këmbë vetëm “skeleti”.

COMMENTS

WORDPRESS: 0