Aktivistët kërkojnë qendra rezidenciale për strehimin e personave në situatë rruge

Aktivistët kërkojnë qendra rezidenciale për strehimin e personave në situatë rruge

Nxënësit protestojnë për kushtet e këqija…
“Klientët në nevojë” në pritje të miratimit të akteve nënligjore të ligjit “Për Sektorin e Energjisë Elektrike”
I heqin bursën se ka prindin invalid. Ja çfarë ka ndodhur me studentin e Universitetit Politeknik.

Institucionet shtetërore duhet të bëjnë më shumë për personat në situatë rruge, rekomandoi një studim i publikuar sot në Tiranë, i cili zbuloi se situatë e vështirë i detyron ata të lypin dhe të mbështeten te riciklimi i materialeve.

Një studim i publikuar të enjten solli në vëmendje situatën e vështirë të jetesës së personave që jetojnë në rrugë dhe problemet me të cilat ata përballen. Aktivistët e qendrës T’reja të fokusuar te fuqizimi i familjeve të varfra në nevojë, e realizuan studimin përmes intervistave me individë në situatë rruge, si dhe identifikimin e tyre nga njësitë administrative dhe qendrave sociale.

Për dy muajt e fundit, aktivistët zbuluan se në Tiranë ndodhen të paktën 147 persona që janë në situatë rruge, ku 63 për qind e tyre janë meshkuj dhe grupmosha më e hasur është 30 deri në 40 vjeç. Pjesa më e madhe e të identifikuarve kanë arsim fillor dhe e sigurojnë jetesën përmes lypjes, mbledhjes dhe shitjes së materialeve të riciklueshme, si dhe në pak raste përmes ndihmës ekonomike.

Të ardhurat mesatare të tyre në muaj ishin 10.000 lekë.

“Niveli i ulët arsimor dhe të ardhurat e pamjaftueshme, e bëjnë të pamundur angazhimin e këtyre individëve në ndjekjen institucionale të të drejtave të tyre,” u shprehën aktivistët e T’reja gjatë prezantimit të studimit.

Problemet familjare (divorcet dhe varësia nga lojërat e fatit), mungesa e banesës dhe problemet e shëndetit mendor, janë faktorët kryesorë që sjellin jetesën në situatë rruge, zbuloi studimi.

Po ashtu, personat që jetojnë në rrugë duket se janë totalisht të vetmuar pasi pjesa më e madhe e tyre nuk ndërveprojnë me familjarët dhe një përqindje e madhe e tyre nuk kërkojnë ndihmë nga institucionet.

“Personat e identifikuar plotësojnë nevojat e tyre bazike nga dhurimet e të tretëve, ndërsa kujdesin për higjienën e sigurojnë në bar-kafe apo në lulishte,” tha studimi.

Zonat ku gjenden më së shumti këta individë në kryeqytet ishin Qendra Spitalore Universitare e Tiranës, rruga e Kavajës, rruga Mihal Grameno dhe Stacioni i Trenit.

Ola Tare, drejtuese e Qendrës T’reja i tha BIRN se problemi i personave në situatë rruge është shqetësuese dhe se ka nevojë për qasje multidisiplinore nga institucionet, jo vetëm në nivel vendor por edhe qëndror.

“Kemi nevojë që për këta persona të kemi informacione të vazhdueshme dhe atyre t’u jepet mundësia të referohen te specialistët përkatës për ndihmë,” tha Tare.

“Theksojmë nevojën për një qendër rezidenciale tranzitore të mirëmenaxhuar për personat në situatë rruge,” shtoi ajo.

Aktivistët gjithashtu rekomanduan politika për fuqizim ekonomik të personave të identifikuar dhe koordinim të ofruesve të shërbimit.

I pranishëm në prezantimin e studimit, një 67-vjeçar në situatë rruge, i cili e siguron jetesën përmes riparimit të biçikletave pranë Pazarit të Ri, foli i prekur për vështirësitë ekonomike dhe shoqërore me të cilat ai dhe shumë të tjerë përballen.

“Iu kam mbështet punës, i kam dalë jetës ballë nuk ia kam shtri dorën kurrkujt për asnjë gjë. Jam mbajt me djersën time, me lodhjen time dhe punën time duke ushtru profesionin biçikletaxhi,” u shpreh ai.

Pas shumë viteve punë, 67-vjeçari tha se ai kishte dy vite që duhej të kishte dalë në pension, por ende nuk kishte parë asnjë lek nga pensioni i tij. Ai i nxiti institucionet të veprojnë për të ndihmuar më shumë personat që ndodhen pa mbështetje rrugëve.

Një zyrtar i bashkisë së Tiranës i pranishëm në prezantim u shpreh se ndërsa duhet bërë më shumë për të përmirësuar shërbimin ndaj këtyre grupeve, ligji i ri i strehimit social do të ofronte më shumë mundësi për ndihmë për personat në nevojë përmes shërbimeve të ndryshme.

Vasilika Laçi nga Civil Rights Defenders, një organizatë në mbrojtje të të drejtave të njeriut në Shqipëri, tha se qasja e autoriteteve për personat në situatë rruge deri tani ka qenë neglizhente sipas stilit të futjes së problemit ‘poshtë tapetit’.

“Janë ndërmarrë hapa mbrapa krahasuar me vitet e mëparshme,” u shpreh Laçi.

Një aktivist i shoqërisë civile tha se çuditërisht mënyrat e sigurimit të jetesës së personave në situatë rruge bien ndesh me metodat e bashkisë së Tiranës, që i ka hapur luftë lypjes dhe mbledhjes së materialeve të riciklimit.

“Pa gjetur një zgjidhje për ta, bashkia nuk duhet t’i sulmojë këto mjete të jetesës për ta, ndërsa theksoi se ligji i ri i strehimit social do të marrë kohë derisa të ofrojë zgjidhje.

Autor Ivana Dervishi / BIRN-TIRANE

COMMENTS

WORDPRESS: 0